Rama në Beograd: ”Open Balkan” projekt paqeje, eksportet me Serbinë janë rritur me 30%
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Panairin e Verës që po mbahet në Beograd, në kuadë të nismës rajonale ”Open Balkan”, e quajti këtët të fundit më shumë se një projekt ekonomik. Po ashtu kreu i qeverisë, theksoi se nisma është një projekt për të jetuar në paqe. Kryeministri u shpreh se edicionet e tjera do të kalojnë edhe në kryeqytetet e tjera, ndërsa shtoi se në Shqipëri ka një rritje të sipërfaqes që mbillet me vreshta, ku përmendi edhe rritjen e eksporteve me Serbinë.
”Ballkani i Hapur është një projekt paqeje, një projekt i një vizioni të përbashkët për të ardhmen, në mënyrë që kjo lagje e vogël në mes të Europës të mos vuajë më nga hijet e së shkuarës.
Është e qartë që më mirë së bashku, duke afruar njerëzit e duke parë se sa shumë gjëra të përbashkëta kemi si njerëz, sesa ashtu siç kemi qëndruar më parë, me shumë konflikte e luftra në mes.
Sot, duke vizituar këtë panair, ku ka prodhues nga shumë vende të tjera, besoj që i kemi dhënë mundësi prodhuesve tanë që jo vetëm të shkëmbejnë eksperiencat me njëri-tjetrin, por i kemi dhënë mundësi edhe tregtarëve të verës jashtë rajonit që të shikojnë kaq shumë prodhime, që do të duhej shumë kohë e udhëtime për t’i shikuar”.