Rama: Në Elbasan, fitorja më e thellë e një kandidati të ASHE

 

Aleanca për Shqipërinë Europiane mbylli mbrëmjen e së mërkurës fushatën elektorale në bashkinë e Elbasanit ku rikandidon kryebashkiaku aktual i kësaj bashkie, Qazim Sejdini.

Duke iu referuar shiut që binte gjatë mitingut elektoral, Kryeministri Rama u shpreh se “mesa duket bereqet i madh e pret Qazim Sejdinin ditën e diele dhe bereqet i madh e pret Elbasanin ne 4 vitet e ardhshme”.

“Në Elbasan”, tha Rama, “do të jetë fitorja më e thellë e një kandidati të Aleancës për Shqipërinë Europiane. Bashkia e Elbasanit është vlerësuar ndër bashkitë më të përparuara në rajonin e Ballkanit për aksesin që u ka dhënë në punësim dhe vendimmmarrje grave dhe vajzave”, tha ai .

“Si asnjëherë më parë në këtë fushtë ka një prani të jashtëzakonshme të grave dhe vajzave në të gjitha takimet. Si asnjëherë më parë gratë dhe vajzat në 21 qershor me votën e tyre do të marrin pjesë në vulosjen e një vendimi historik për vendin dhe historinë tonë, i marrë nga ASHE, duke e kthyer në ligj një zotim programor të PS dhe LSI, pjesëmarrjen 50% të grave dhe vajzave në kuvendet e reja vendore”, tha Rama.

Duke folur për ndarjen e re territoriale-adminsitrative, Rama u shpreh se, “duke bërë këtë reformë historike ne kemi ndërtuar 61 njësi të reja ekonomike dhe zhvillimi, që janë njësi me potenciale, mundësi dhe kapitale njerëzore të shumëfishuara për të forcuar ekonominë kombëtare”

Në fjalën e tij,  Sejdini theksoi se gjatë 4 viteve të ardhsme do të vazhdojnë investimet në Elbasan. Ai u shpreh se ka projekte për shtresat në nevojë dhe projekte ambicioze për qytetarët. Sejdini përmendi disa nga arritjet dhe investimet në qytetin e Elbasanit në 8 vjet të qeverisjes së tij.

“Përmirësuam infrastrukturën. I dhamë pamjen evropiane qytetit tonë. U kujdesëm për të rinjtë dhe ambientet sportive. Përveç stadiumit, ndërtuam edhe 4 kënde sportive. Kemi investuar në gjelbërim duke shtuar lulishtet. Një sektor i rëndësishëm që i dhamë drejtimin e duhur është turizmi”, tha Sejdini, duke premtuar më shumë investime, punësim dhe shërbime ndaj qytetarëve të Bashkisë së madhe të Elbasanit.

SHKARKO APP