Rama në Japoni, Berisha në protestë
Nga: Redjon Shtylla
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Japoni për një vizitë zyrtare, nuk do të jetë nesër në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Berisha ka bërë të qartë që demokratët do të vijojnë aksionin opozitar brenda dhe jashtë parlamentit.
Protestat e opozitës do të vijojnë edhe para Parlamentit. Berisha në protestën e fundit e la disi evazive nëse do të kishte apo jo protesta para Kuvendit, por dje në Këshillin Kombëtar tha se krahas përgatitjeve për protestën e 3 marsit duhet të vijojnë dhe protestat para parlamentit. Për këtë arsye të enjten pritet që mbështetës të opozitës të jenë para Kuvendit për të protestuar.
”Të protestojnë me fuqinë më të madhe para parlamentit, ky është parlamenti i krimit. Si kundër deputetët tanë do bëjnë një përpjekje të jashtëzakonshme për arritjen e qëllimeve të tyre. Para Europës dhe botës sot ka një parlament të vetmin në të gjithë planetin, që ka përjashtuar brenda 3 javëve 23 deputetë. Vetëm e vetëm që Edi Rama të mos hetohet për krimin që ka kryer”,-tha Berisha gjatë mbledhjes me grupin e tij në PD.
Sali Berisha që nga momenti që vendosi me Kryesinë që më datën 3 Mars të zhvillohet protestë kombëtare ka kryer disa takime me strukturat e PD. Ai është takuar edhe me drejtuesit politikë të qarqeve ndërsa ditën e djeshme u takua me Këshillin Kombëtar. Fokusi në këtë mbledhje ka qenë tek protesta.
Referuar të dhënave të popullaritetit dhe interaktivitetit në Facebook për vitin 2022, Edi Rama është politikani i katërt më i ndjekur në Europë, duke lënë pas liderë vendesh të fuqishme. Me mirë apo keqqeverisjen, Edi Rama mund të cilësohet pa frikë si lideri më popullor në Europë, ku pas fitores së mandatit të tretë qeverisës, e kemi parë kudo nëpër Samite, takime dhe në institucionet më të fuqishme dhe të rëndësishme të botës.
Kauzat politike janë një ”armë” e partisë kundërshtare kundër qeverisë, që të ndryshojë ”lojën”, se qëllimi i një proteste është që nga pasoja, të eliminohet shkaku. Kauzat që prekin popullin, për ironi janë bërë me 1 mijë qytetarë në shesh, dhe prej vitesh e vitesh, protestohet, dhe ende sot, PD-ja dhe mbarë opozita thotë ”Fajin e ka Rama”, edhe pse kryeministri është në mandatin e tretë qeverisës. Reagimi popullor duhet si në ”Big Brother”, që të gjithë janë me Luizin, dhe e kanë kthyer në fenomen, dhe për fat të keq, opozita nuk e ka një fenomen të tillë, e kur vetë PD është e përçarë, besimi i popullit ulet.
Tempulli i popullit që është Parlamenti i Shqipërisë, prej kohësh ka një frymë diktature dhe gjithçka që vendoset, rrjedh nga dëshira qeveritare dhe socialiste.
Pesimizmi ka mbërthyer këtë vend, ikja e rinisë dhe shpopullimi janë një realitet i pamohueshëm, dhe nëse Parlamenti i Shqipërisë është një aneks i qeverisë dhe PS-së për të drejtuar siç ata e duan, që të njohë grupet parlamentare që duan, apo me përjashtimet në masë kohë e fundit, veç se e shtojnë dëshirën për të lënë këtë vend.