Rama në KS: Lufta shkatërrimtare e nisur nga Rusia po vë Europën në rrezik
Kryeministri Edi Rama drejton mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në selinë e OKB-së në New York.
Debati i Hapur i Nivelit të lartë, ku Presidenca Shqiptare e Këshillit të Sigurimit drejton një nga sesionet më të rëndësishme me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: “Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës
Pas debatit me përfaqësuesin e Rusisë, kryeministri Rama tha se lufta shkatërrimtare e nisur nga Rusia po vë Europën në rrezik, dhe se agresioni rus nuk u dënua menjëherë.
”Kush mund ta përfytyronte që në dekadën e tretë të shekullit XXI, një luftë shkatërrimtare e nisur nga një anëtar i përhershëm i këtij Këshilli do ta vinte Europën në rrezik duke minuar në mënyrë mizore të gjitha parimet që i dhanë jetë OKB-së.
Një agresion i pajustifikuar dhe i paprovokuar ushtarak i një vendi të madh kundër një demokracie të re nuk do të dënohej menjëherë nga të gjithë kombet që mblidhen këtu.
Një agresion në zemër të Europës nuk mund të jetë vetëm problem i saj siç disa mendojnë. Cinikët mund të mendojnë se ky është një problem që i ka rënë për hise perëndimit, duke menduar se është një lloj haku për diçka që mund të ketë ndodhur më përpara. Vërtet? Ju ftoj të gjithëve të mendoheni dy herë”,-tha Edi Rama.