Rama në Kukës: Anëtarët e PD të zgjojnë nga gjumi Kryetarin e tyre

 

“Ne kemi nevojë për opozitën për të ecur përpara. Prandaj i bëjë ftesë të gjithë simpatizantëve të PD-së, që të votojnë Hasan Halilin për t’i dhënë një mesazh të fuqishëm pjesëtarëve të PD-së, që të zgjohen e të shohin në sy problemet e qytetarëve dhe jo të mbeten si gjithnjë në problemet personale. Pasi, shtoi ai, kjo opozitë është ende e lidhur me të shkuarën dhe pa u çliruar prej saj nuk mund të ketë të ardhme”.

Kështu iu drejtua Kryeministri Edi Rama banorëve të Kukësit, gjatë takimit elektoral të zhvilluar në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit, ku gjithashtu ishte i pranishëm Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe ministri i Financave Shkëlqim Cani.

Rama tha se këto zgjedhje lokale janë pikënisja e zhvillimit të Kukësit, ndërsa shtoi se kuksianët më 21 qershor kanë një mundësi të artë për t’i dhënë vendlindjes së tyre një të ardhme.

“Kjo është fushata më e bukur që unë mbaj mend. Arsyeja është prania e jashtëzakonshme e grave dhe e vajzave në çdo takim, komunikim e çdo shesh. Unë kam ardhur dhe herë të tjera, por sot ka kaq shumë nëna, motra, gra e vajza, që me praninë e tyre dëshmojnë se janë të gatshme të bëhen një fuqi e madhe mbështetëse e kësaj reforme mbështetëse të integrimit europian”, tha Rama.

Ai e cilësoi reformën administrative një pikënisje për rikthimin e integritetit të shqiptarëve, të cilët vendin e tyre nuk e shohin më të harruar, por e shohin si një vend me 61 njësi të reja zhvillimi.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Rama tha se Bashkia duhet të jetë një shtëpi e madhe për të gjithë dhe jo vetëm për partinë.

“Me Hasan Halilajn, Bashkia do të jetë një derë e hapur për të gjithë, jo vetëm për ata që kanë teserën e partisë. Me Hasanin, Kukësi do të kthehet shtëpia e të gjithëve dhe prania e vajzave dhe grave do të garantojë që dhe burrat, do ta humbin më pak se në të shkuarën, drejtimin e duhur”.

Sipas tij, shumë shpejtë do të nis projekti për rilindjen urbane, rikthimin e ujit të pijshëm dhe krijimi i një tregu të shëndetshëm për tregtimin dhe eksportin e patateve.

“Uji i pijshëm është shumë larg këtij qyteti, pasi Shqupi e harroi. Uji pijshëm nuk duhet të jetë një zotim i yni, por është një e drejtë e juaja, që brenda 18 muajve të ardhshëm do të marrë medoemos përgjigje, për ta kthyer këtë problem në një problem të së shkuarës. Tregtimi i patates së Shishtavecit do të jetë një projekt primar, pasi banorët e Kukësit dhe prodhimi i tyre duhet të tregtohet jo vetëm në Shqipëri, por dhe në eksport”, nënvizoi Rama.

Kreu i ekzekutivit shtoi se të dielën e ardhshëm në sheshin në qendër të Kukësit, do të nisë zbatimi i një projekti që do ta ndryshojë rrënjësisht sheshin në fjalë.

“Të dielën e ardhshme në këtë shesh do të nisë projekit i rilindjes urbane të Kukësit dhe këto hapësira do të kthehen në një hapësirë që ruan të shkuarën dhe i jep frymë të ardhmes. Këtu do të jenë bashkë Skënderbeu dhe kujtesa e atij momenti që i dha Kukësit, etiketën e dhomës së parë të mikpritjes për kosovarët, të cilët u zbuan nga thundra e dhunës së Millosheviçit. Ky, shtoi Rama, do të jetë sheshi ku do i bëhet jehonë shoqërisë dhe do të jetë nxitje e pasionit dhe ëndrrave të fëmijëve e të rinjve, që në Kukës nuk është më shkretëtirë, por ka jetë dhe është një qytet si qytetet e tjera europiane e mesdhetare”, tha Rama, duke shtuar se sheshi në qendër të Kukësit do të kthehet në një nga sheshet më të bukura të Shqipërisë.

Duke marrë fjalën në këtë takim, kryetari i Kuvendit dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, premtoi projekte zhvillimore që do ta çrrënjosnin përfundimisht varfërinë nga ky qytet.

“Ne i jemi borxhlinj Kukësit dhe kuksianëve, ndaj sot e mbështesim projektin e kryebashkiakut të ardhshëm,  Hasan Halili, që t’i kthejmë banorëve një pjesë të këtij borxhi të krijuar në vite. Bujaria e kuksianëve nuk e meriton varfërinë me të cilën ndeshet sot  ky qytet. Ndaj ne kemi premtuar në programin e ardhshëm të Bashkisë së re, hapjen e 500 vendeve të reja pune, brenda dy viteve të ardhshme”, tha Meta.

Ai garantoi se bashkë me deputetët e kësaj zone, përfshi dhe ata të opozitës, do të trokasim në çdo derë për të mbështetur projektet e zhvillimit dhe për të luftuar dhe çrrënjosur njëherë e mirë varfërinë nga Kukësi.

“Ua kam thënë të rinjve të Kukësit që të punojmë së bashku në mënyrë që qyteti juaj të mos jetë vendlindja juaj, por dhe e ardhmja juaj”, tha kreu i LSI-së.

SHKARKO APP