Rama në Kukës: Tropojanët që duan të votojnë bacën e tyre, në fakt do hedhin votën për ”Like Floririn”
Fushata elektorale e ka gjetur kryesocialistin Edi Rama në Kukës. Rama gjatë takimit me qytetarët, ku ka prezantuar edhe kandidatin Safet Gjici, u bëri thirrje qytetarëve që më 14 Maj të dënojnë me votë ”zorrën qorre”, duke cilësuar kështu Sali Berishën.
Po ashtu kryeministri tha se zhvillimi erdhi me Partinë Socialiste, e duke u ndalur tek Tropoja veçanërisht, për të cilën thotë se mundësia iu dha për ta zhvilluar për herë të parë pasi PD bojkoti zgjedhjet e kaluara lokale.
Për tropojanët të cilët duan të votojnë Berishën, kreu i qeverisë tha se ata do t’u duhet që të votojnë në fakt për Ilir Metën.
“Mirë ata që thonë e kemi bacën tonë, po ato që do votojnë për ”Like Floririn”, çfarë e kanë në Tropojë se do zgjohen në mëngjes, do shkojnë ta votojnë, po baca në fletë votimi nuk është. Keni parë që njeriu të dalë në rrugë të kërkojë votën dhe në fletën e votimit nuk e ka emrin. Do çohen demokratët e Tropojës dhe do të votojnë, por tek fleta e votimit është ”Like Floriri”. Po ka degjenerim më të madh se kaq?”-tha Rama.