Rama në Lezhë: Ky qytet pas 4 vitesh me Pjerin Ndreun është ndryshe. PD në 30 vite s’ka krijuar një shembull të një bashkie

Lezha është ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. Rama theksoi se kjo fushatë ndryshe e Partisë Socialiste do jetë në dobi të qyteteve, duke shmangur sipas tij ndotjen dhe shpenzimet e kota me materiale propagandistike.

“Jemi këtu së bashku me ju të gjithë për të vijuar një pjesë të këtij rrugëtimi drejt 14 Majit. Sepse ne kemi vendosur që një pjesë të fondeve të partisë për fushatën elektorale ta kthejmë në një donacion pemësh për të gjitha bashkitë, duke shkurtuar një pjesë të shpenzimeve për skena e materiale propagandistike të cilat kushtojnë shumë, por nuk lënë asgjë pas për njerëzit apo qytetin. Duke heq një pjesë nga këto ne i kemi kushtuar pjesën e parë të fushatës kryesisht mbjelljes së pemëve bashkë me kryetarët e bashkive dhe më vjen mirë që sot vijmë në një bashki që pas 4 vitesh, me Pjerin Ndreun është krejt ndryshe”,-tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama pohoi edhe se t’i japësh votën opozitës përbën një gabim të madh, duke shtuar se PD në 30 vite nuk ka krijuar dot një shembull të një bashkie apo komune që ka përparuar.

“Do të ishte një fatkeqësi e madhe për qytetin që të kthehej përsëri mbrapa në duart e atyre që është shumë kuptimplotë e njëkohësisht shumë e hidhur që në 30 vjet nuk kanë arritur dot të krijojnë një shembull të vetëm të një bashkie apo komune që ka ec përpara. Nuk ekziston një, nuk ka. Ne mund të tregojmë plot fshatra që i kemi transformuar. Ne mund të tregojmë bashki pas bashkish, ku na është dhënë mundësia të bëjmë një ndryshim shumë të madh dhe e kemi bërë në një kohë shumë të shkurtër. Këto janë zgjedhje për qytetin, nuk janë për t’i parë politikisht gjërat”.

SHKARKO APP