Rama në Maliq: Të vendosur të shtojmë partneritetin me fermerët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një takim me fermerë të Maliqit është shprehur se qeveria është e vendosur të shtojë partneritetin me ta.
Edhe në këtë takim kryeministri ka rrëfyer gjendjen e rrënuar në të cilën e kishte lënë qeveria paraardhëse bujqësinë.
“Eskavatori i fundit në Shqipëri nga shteti ka ardhur në vitin 2005. E kam thënë edhe në vend tjetër, shkova në një bashki dhe shikova ca fotografi ku ishte edhe një personazh politik që ata e konsideronin qytetar nderi sepse para 15 vitesh u kishte sjellë një eskavator që nuk punonte. Kjo tregon se çfarë mesjete ka qenë marrëdhënia e shtetit me fshatin”, tha Rama.
Kreu i qeverisë ka prekur edhe çështjen e pronave, ku theksoi se për 25 vite në Shqipëri janë vrarë rreth 8000 vetë si shkak i konflikteve.
“Kanë filluar të jepen titujt e parë të pronësisë ndërkohë që shumë familje kanë hasur gjatë rrugës çudira dhe konflikte pa fund. 8000 vetë janë vrarë në Shqipëri për konflikte pronësie që nga viti 1990, kryesisht në zonën e fshatit”, u shpreh kryeministri.
Rama ka prezantuar programin e ri të financimit sipas të cilit fshatarët do të kenë garant shtetin për marrjen e kredive.
“Në Europë nuk ekziston koncepti i fshatarëve të varfër. Ne jemi të vendosur të shtojmë partneritetin me fshatarët. Çështja themelore mbetet financimi i fermerëve. Do të fusim linjat alternative të financimit. Këtu është programi i ri që po mundohem ta prezantoj në të gjithë Shqipërinë.
Sot për sot për është shumë e vështirë që një fermer të marrë një kredi për të zhvilluar biznesin. Ne shtetin e kemi bërë garant, kemi krijuar një fond kombëtar të garancisë. Kemi bërë marrëveshje me 6 banka të nivelit të dytë që shteti të jetë garant.
Çdo bashki do të ketë një sportel të vetin në dispozicion të fermerëve për informacion dhe asistencë. Në gjithë qarkun e Korçës dhe në të gjithë Shqipërinë kemi shembuj të njerëzve që e kanë nisur nga një gjë e vogël dhe kanë arritur të jenë sipërmarrës të mëdhenj”, u shpreh kryeministri.
Rama u shpreh se në Korçë dhe në të gjithë Shqipërinë është bërë një punë e madhe, por jo shteruese pasi ka ende shumë për të bërë.
“Ka gjera të rëndësishme që janë bërë dhe po bëhen, por ne jemi të vetëdijshëm për disa gjëra që nuk kemi arritur t’i bëjmë akoma”, u shpreh kreu i qeverisë.
Edi Rama ka deklaruar se një aspket shumë i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të Korçës është turizmi.
“Turizmi është një aspekt shumë i rëndësishëm në Korçë. Sa më shumë turistë shkojnë në Korçë do të thotë gjithnjë e më shumë përfitime. Voskopoja brenda sezonit të ardhshëm do të transformohet tërësisht. Do të shtrijmë investimet edhe në pika të tjera”- tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

