Rama në panairin e turizmit në Berlin: Shqipëria përfaqësohet me një ofertë turistike të denjë

Pas pritjes nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe konferencës për shtyp, kryeministri Edi Rama mori pjesë në punimet e panairit të turizmit në Berlin, i konsideruar si më i madhi i kësaj natyre në botë. Rama tha se vendi përfaqësohet denjësisht në këtë panair jo thjesht me natyrën e bukur po me një ofertë serioze turistike.

“Shqipëria në ITB Berlin, Panairi më i madh i Turizmit në botë, ku më në fund përfaqësohemi denjësisht jo thjesht me natyrën e bukur po me një ofertë serioze turistike. Falë punës këmbëngulëse vit pas viti, ndryshimit të imazhit të zymtë të Shqipërisë së deri disa viteve më parë, investimeve publike e private, si edhe një armate të dinamike operatorësh turistikë. Pason në prill Forumi Ndërkombëtar i Turizmit në Tiranë, një bashkëpunim i ministrisë sonë të Turizmit e Mjedisit me Organizatën Botërore të Turizmit, për të cilin biseduam në Berlin edhe me Sekretarin e Përgjithshëm #UNËTO Zurab Pololikashvili”, shkruan Rama.

Operatorët në fushën e turizmit e informuan kryeministrin Rama se vetëm në ditën e parë të panairit kanë shitur 83 % të kapaciteteve të tyre. Sipas tyre ka pasur interes të lartë, ndërsa prenotimet nisin nga maji e deri në shtator.

SHKARKO APP