Rama: Në Përmet “Nona” ul siparin e edicionit të pestë me një mbrëmje magjike

I kthyer tashmë në traditë të mrekullueshme ballafaqimi të vlerave dhe trashëgimisë, pasionit për kulinarinë dhe përkushtimit për shpirtin e madh, në Përmet ka mbyllur shpërfaqjen e saj Festivali “Nona”. Ka finalizuar me një mbrëmje magjike, me këngë, gazmend, gostitje dhe bekime nënash, ajo që erdhi me qasjen për të shënjuar Përmetin si një piket e rëndësishme e turizmit, mikpritjes dhe një tradite të pasur gastronomike. Edhe pse Përmeti nuk ka det, ai ka detin e zemrave, shpirtit dhe bujarisë përmetare të përmasave të tilla sa të sfidojë çdo magjepsje të mahnitjes sonë bregdetare.

Këtë manifestim të jashtëzakonshëm e ka përfshirë në vëmendjen e tij edhe Kryeministri, Edi Rama, i cili ka përcjellë videon e natës finale me mbishkrimin, “Përmet, Festivali Nona një sukses i bukur në rritje të përvitshme ul sonte siparin e edicionit të pestë, duke mbledhur bashkë vendas, pushues të huaj dhe vizitorë të ardhur enkas për këtë shije të veçantë përmetare”

Festivali Nona është një festival që zhvillohet në qytetin e vogël të Përmetit, për të treguar se nuk janë përmasat territoriale apo zotërimet administrative, ato që përcaktojnë vendin e merituar në madhështinë e vlerësimit dhe kosnideratës. Ky festival është i njohur për promovimin e kulturës tradicionale shqiptare, duke përfshirë muzikën popullore, këngët, vallet dhe ushqimet tradicionale. Vit pas viti ky manifestim ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më përfaqësues, gjithnjë e më i pranishëm në nevojën që kanë të gjithë të bëhen pjesë e kësaj feste të traditës. Përmeti, i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe traditat e pasura, bëhet qendra e aktiviteteve kulturore dhe artistike gjatë festivalit, duke dëshmuar se ku ka shpirt të pasur dhe traditë ka edhe mundësi.

Festivali zakonisht përfshin performanca të grupeve të ndryshme muzikore nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, si dhe aktivitete që përfshijnë artizanatin lokal dhe prodhime të ndryshme të zonës. Ky festival është një mundësi e shkëlqyer për të përjetuar kulturën e pasur dhe mikpritjen e Përmetit.

Edhe këtë edicion, Festivali “Nona” tregoi me predispozicion dhe përgatitje, me performancë dhe përfaqësim të të gjithë komponetëve përbërës, se ka ende për të dhënë ende për të treguar se cili është Përmeti dhe kush janë përmetarët, me çfarë vlerash pasurore ajo ballafaqohet dhe me sa bujari dhe mirësi e bën këtë prezantim.

Albert Vataj

SHKARKO APP