Rama në Stamboll, Kryeministria i përgjigjet akuzave të PD
KryeministriEdi Rama është duke zhvilluar sot një vizitë njëditore në Stamboll ku do të marrë pjesë në forumin e njohur publik të organizuar nga think tank "Fikir Sofrasi" (Tryeza e Ideve).
Zyra e Shtypit pranë Qeverisë tha se takimi është edicioni i pesëmbëdhjetë i këtij organizimi, ku më parë kanë marrë pjesë si të ftuar nderi autoritete të larta vendase e të huaja në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe turizmit.
Tema e këtij takimi është "Perspektiva partneritetit strategjik Shqipëri-Turqi në fushën e Tregtisë dhe Industrisë".
Në takimin e sotëm, ku i ftuari i nderit është Kryeministri shqiptar, do të marrin pjesë mbi pesëdhjetë industrialistë dhe investitorë të mëdhenj turq, në fushën e energjisë, turizmit, manifakturës, bujqësisë e shëndetësisë, si edhe rreth njëzetë përfaqësues të medias së shkruar dhe elektronike turke.
Kjo vizite e Kryeministrit Rama është në vazhdën e takimeve të zhvilluara më parë në Itali apo Gjermani, për tu takuar dhe nxitur sipërmarrësit e huaj të interesuar për të investuar në Shqipëri.
"Për të hequr çdo "merak" të Partisë Demokratike vizita e sotme është koordinuar nga konsullata e përgjithshme e Republikës se Shqipërisë në Stamboll dhe njësoj si në të gjitha rastet e mëparshme do t'i bëhet me dije edhe publikut shqiptar përmes kanaleve të informimit publik.
Me keqardhjen e zakonshme për fjalorin e ulët nga i cili Partia Demokratike nuk ndalet dot, është e udhës te rinënvizohet edhe sot se koha e sekserëve që negocionin në hotelet e botës pasuritë e popullit shqiptar për llogari të pushtetit familjar që shporri vota e popullit shqiptar, ka marrë fund bashke me atë pushtet në 23 qershor 2013.
Por fatkeqësisht ajo kohe është ende në mendjen e atyre që mbajnë peng sot e gjithë ditën opozitën e Shqipërisë, te cilëve u ka ngelur ora tek zullumet e vjetra", thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë.