Rama në Tepelenë: PD forcë destruktive, ndjehemi të turpëruar

 

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste dhe LSI, si pjesë e mazhorancës kanë detyrimin e madh për t’u dhënë mbështetje të plotë programit të kandidatëve të saj.

Rama zhvilloi një takim elektoral në Tepelenë, ku ftoi qytetarët të votojnë kandidatin e mazhorancës Termet Peçin, për të çuar më tej rrugën e nisur në 23 qershor të 2013.

“Të gjithë mund të shohin transformimin e madh të ndodhur në këto 18 muaj në Tepelenën e braktisur e izoluar nga qeveria e shkuar me shpresën se do ta kthente nga drejtimi i duhur”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë, u ndal në projektet konkrete që parashikon programi i kandidatit të majtë për zhvillimin e Tepelenës, ku foli edhe për projektin e parkut kombëtar të Vjosës.

“Qeveria është duke punuar për t’i dhënë forme një projekti të madh kombëtar që është Parku Kombëtar i Vjosës. Vjosa është një lumë me karakteristika të veçanta, një ndër më të bukurit dhe me tiparet më interesante të Europës, një pasuri e madhe natyrore europiane dhe për këtë arsye ne do të bashkëpunojmë me organizata ndërkombëtare e institucioneve financiare. Realizimi i projektit tonë të madh për Vjosën si park kombëtar do të sjellë mbështetje të jashtëzakonshme ekonomisë familjare në bashkitë e Tepelenës e Përmetit”, deklaroi Kryeministri Rama.

Duke folur për opozitën, Rama tha se po shikojmë në fushatë për të ardhur keq e që na bën të ndjehemi të turpëruar për faktin se si është katandisur në një forcë destruktive e që e ka transformuar këtë fushatë nga një fushatë për qytetarin e punësimin, në një fushatë ku tregon përralla nga e kaluara, që Tepelena e refuzoi në 23 qershor 2013.

Rama duke vlerësuar rolin e grave në shoqëri i ftoi ato të marrin pjesë në votime, ndërsa theksoi se Shqipëria në zgjedhjet e 21 qershorit do të votojë për të pasur 50 % gra e vajza në kuvendet vendore.

SHKARKO APP