Rama: Në tre muajt e fundit të 2014-s, u punësuan 82 mijë persona

Kryeministri Edi Rama shprehet entuziast në lidhje me shifrat e punësimit.

Ai thotë se vetëm brenda tre muajve të fundit të 2014-s, janë punësuar 82 mijë persona.

Rama i referohet Anketën e Forcave të Punës, të përgatitur nga INSTAT.

Disa të dhëna tejet inkurajuese të tremujorit të katërt të 2014 sipas INSTAT:

Numri i të punësuarve është rritur me 82.629 persona.

Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 105.113.(Shenjë e qartë e rritjes së besimit dhe shpresës se gjendet punë)

Në terma vjetorë, punësimi u rrit me 8,5 % krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013.

Industria përpunuese, aktivitetet e shërbimeve të tregut dhe sektori i ndërtimit patën rritjen më të ndjeshme të të punësuarve me përkatësisht 27,4 %, 14,8 % dhe 14,6 %.

Shkalla e punësimit është më e lartë për të punësuarit me arsim profesional (65,5 %), pasuar nga ata me arsim të lartë (64,9 %),” shkruan Rama.

Vetëm se ka shumë diskutime për shifrat.

Kjo, duke qenë se mendohet se një pjesë e këtyre personave kanë qenë të punësuar, por thjesht janë siguruar, për shkak ashpërsimit të masave të qeverisë për kompanitë që nuk sigurojnë punonjësit dhe skemës së re të pensioneve.

SHKARKO APP