Rama në Turqi krah Erdoganit ”sulmoi” Europën, Krasniqi: U thanë të pavërteta për BE
Në krah të Presidentit të Turqisë, kryeministri Edi Rama lëshoi akuza ndaj Bashkimit Europian. Për analistin Afrim Krasniqi, Rama bëri një deklaratë të pavërtetë, kur tha se BE-ja i mbylli kufijtë dhe për ndihma gjatë periudhës më të vështirë të pandemisë në muajt e parë të 2020.
”Elementët e sotme të vizitës treguan se Rama më shumë mendon për periudhën afatshkurtër, fushatën zgjedhore, se sa për politikën e jashtme të Shqipërisë. Të shkosh në Turqi dhe të kritikosh Bashkimin Europian nga Ankaraja, që është një nga kryeqytetet më të kritikuara nga Bashkimi Europian, për diçka që nuk është e vërtetë, nënkupton që bën një deklaratë që më shumë krijon hije, në bashkëpunimin e ardhshëm dhe në rolin e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme se sa me standardet europiane që kërkon të promovojë Shqipëria. Bashkimi Europian ka qenë dhe mbetet donator kryesor i Shqipërisë. Asnjë prej këtyre ndihmave nuk lidhet me karakter fetar, me elementë historikë të historisë dhe me konceptet e hegjemonisë së të kaluarës”, tha Krasniqi.
Për të kryeministri Rama duhet të japë shpjegime dhe deklaratat në lidhje me organizatën FETO. Ai e konsideroi një lajm të mirë ndërtimin e një spitali të ri në Fier edhe pse vjen në një kohë fushate.
”Për një vend si të vogël si Shqipëria marrëveshje të tilla nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Bashkëpunim strategjik kemi dhe me Kosovën, RMV por nuk kemi produkt. Sot ajo që ishte e dukshme dhe që ka nevojë për sqarim janë bisedimet e zhvilluara. Sot për herë të parë u tha që organizata FETO dhe investimet e saj janë kërcënim për dy vendet. Në Shqipëri nuk është thënë ndonjëherë kjo dhe nuk është parë ndonjëherë si kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Lajm i mirë është premtimi për ndërtimin e një spitali të ri në Fier, pavarësisht se bëhet në periudhë elektorale”, përfundoi Krasniqi për ”A2cnn”.