Rama nga Gjirokastra: Të votosh kandidatët e Berishës dhe Metës, është si të ulësh flamurin tonë kombëtar
Nga Gjirokastra, kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët të mos votojnë kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, pasi u shpreh ai, aleatët strategjikë të vendit tonë e kanë shpallur Sali Berishën ”non-grata” dhe se vota për të është kthim pas për Shqipërinë. Po ashtu tha se të votosh për ta është si të ulësh flamurin tonë kombëtar.
“As nuk mund të imagjinoj që në këtë qark të mund të ketë një bashki të vetme që do të dojë të kthehet pas, të bjerë në ato duar që dinë të shkatërrojnë e të gatuajnë helm, baltë e sherr. Ne na duhet të vijojmë me projektet tona, të ngjitemi shumë më lart”, u shpreh Rama.
Po ashtu kryeministri Edi Rama rikujtoi se ishin pikërisht këta partnerë që u shprehën se nuk mund të bashkëpunonin me Sali Berishën. Kryeministri theksoi se edhe pse BE-ja nuk ka një mekanizëm të tillë për shpallje ”non-grata”, nuk ka më derë hapur për Berishën dhe as Metën.
“Kur këta partnerë detyrohen të ulen, shkruajnë, i vënë vulën e shtetit të tyre, SHBA, dhe na e tregojnë duke na e lexuar vetë, që ky individ është i padëshirueshëm për ne dhe ju lutemi shumë hiquni këtij, se me ne e ka mbyllur dhe cilido që merret me të, si ka mundësi që këtu të ketë akoma shqiptar që nuk e marrin në konsideratë këtë?”,-tha Rama.