Rama nis turin në diasporë më 12 Maj, Blendi Klosi zbulon detajet: Të kthehen për të jetuar dhe investuar në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama, në rolin e kryesocialistit do të nisë më 12 Maj turin në diasporë, dhe e nis nga Athina. Në orën 11:00 janë thirrur të marrin pjesë shqiptarët që jetojnë në shtetin fqinj. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi mohon që ky tur të ketë qëllime elektorale e aq më shumë të jetë i lidhur me zgjedhjet europiane të 9 Qershorit.

“Presim një prezencë shumë të madhe të të gjithë komunitetit shqiptar. Nuk është një takim partiak. Turi është qartazi jo i veshur me lëvizje të tjera politike, por vetëm sa i përket kontaktit me emigracionin shqiptar”, tha ai.

Turi është emërtuar “Krenar për Shqipërinë”. Por për çfarë mund të jenë krenarë për vendin e tyre shqiptarët që kanë lënë atdheun për një jetë më të mirë dhe për më tepër kur premtimi kryesor i Partisë Socialiste, e drejta për të votuar nga aty ku jetojnë, duket ende larg për t’u realizuar?

“Do vazhdojmë ta kërkojmë këtë votë. Edhe pse nuk ka ndodhur, vota e emigrantëve është në prag”, tha Blendi Klosi. Një nga arsyet e nisjes së turit sipas Klosit është për t’ju bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Diasporë që të kthehen për të jetuar dhe investuar në Shqipëri.

Turi i kryesocialistit ka të konfirmuar deri tani 4 takime në 12 Maj në Athinë, 26 Maj në Milano, Londër në 2 Qershor dhe Duseldorf në 16 Qershor.

SHKARKO APP