Rama: Nuk besoj se Greqia do na pengojë në rrugëtimin drejt BE-së
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median “Asharq News”, ku ndër të tjera ka komentuar tensionet me Iranin dhe ka shprehur optimizëm për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Rama komentoi edhe tensionet mes Shqipërisë dhe Iranit, pas sulmit kibernetik në 15 korrik të vitit të kaluar.
“Duhej të vepronim ndaj Iranit sepse Irani po vepronte brutalisht kundër nesh”, tha Rama. “Ata sulmuan Shqipërinë me një sulm kibernetik shumë të egër”, shtoi ai. “Pse? Sepse ne u kemi dhënë strehë disa mijëra iranianëve, jo për ta bërë Shqipërinë një platformë politike kundër regjimit, edhe pse ne nuk kemi asgjë që të na pëlqejë në atë regjim, jo për t’u dhënë atyre një platformë kundër regjimit, por për t’u dhënë atyre një strehë sepse jeta ishte në rrezik”, tha Rama.
Një koment e pati edhe për MEK, të cilët strehohen në Shqipëri. “Ne jemi një vend që nderojmë gjithmonë qeniet njerëzore dhe jetën njerëzore. Irani nuk e kuptoi aq mirë, ose fare, dhe na sulmoi, kështu që ne duhej t’i ndërprisnim marrëdhëniet diplomatike dhe t’i dëbonim ata”, shtoi ai.
Gjatë intervistës, Rama u shpreh i sigurt se Shqipëria do të pranohet në Bashkimin Europian, por theksoi se më parë duhet të përmbushim detyrat. “Unë jam gjithmonë optimist tragjikisht, nuk jam pesimist, por duhet të them se për mua, BE-ja është gjëja më magjepsëse në historinë botërore të politikës që njerëzimi ka krijuar”, tha ai për Al-Ahmari.
“Nuk ka kërkesa joreale nga BE-ja, duhet të them. Ne duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë dhe është shumë e rëndësishme të sigurohemi që të gjithë të kuptojnë se detyrat tona të shtëpisë nuk janë diçka që duhet të bëjmë për shkak të tyre ose për ta. Detyrat tona janë diçka që duhet të bëjmë për fëmijët tanë, për Shqipërinë e së nesërmes”, vijoi Rama.
Rama tha se nuk beson që Bullgaria do të bëhet pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në mënyrë të ngjashme, Rama tha se sheh pak shanse që Greqia të pengojë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pavarësisht mosmarrëveshjeve të së kaluarës.
“Përkundrazi, Greqia ka qenë e mirë me ne, ka qenë mbështetëse për procesin tonë të integrimit”, tha Rama. “Dhe ka qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe janë të integruar, punojnë atje. Dhe këtu ka shumë grekë që vijnë për turizëm. Pra, ne jemi vende vëllazërore”, shtoi ai. Rama tha edhe se marrëdhëniet strategjike me Rusinë nuk i shërbenin interesave të Ballkanit në atë kohë dhe nuk u shërbejnë atyre sot, siç tregohet nga pushtimi rus në Ukrainë.