Rama nxehet me gazetarët: Ju jeni inkuizitorë! (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama ka qenë mjaft i tensionuar në studion e emisionit “Real Story” të Sokol Ballës në Vizion+. I pyetur që në fillim për çështjen e “Xhisiela Malokut” ai tha se s’mban asnjë përgjegjësi për atë që ka bërë djali i një deputeti të tij.
“Vajza është marrë peng për llogari të tregut mediatik dhe politik. Drejtësinë mund t’ja japë vetëm rruga e institucionit të drejtësiësë.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/544430929350932/
Më kujtohet një fjalim që një nga këta anëtarët e byrosë ia mbajti Mehmet Shehut për të birin. Duke më kërkuar mua llogari për djalin e deputetit i cili është në burg. Infot tuaja janë infot tuaja. Fakt është që djali i një deputeti është para hekurave.
Unë nuk arrestoj njerëz. Qeveria nuk arreston njerëz. Ata i arreston policia me urdhër të prokurorisë. Po flasin për djalin e një deputeti të mazhorancës ata që dje policinë e përdornin për të penguar urdhrat e prokurorisë” – tha Rama që zbuloi se deputeti Rrahman Rraja vuan nga një sëmundje e rëndë.
I pyetur nga gazetari Alfred Lela për emrat e “të fortëve” që ai solli në parlament, Rama tha se mund të ketë bërë gabime, por u qëndron vendimeve që ka marrë. Kreu i qeverisë i quajti gazetarët inkuizitorë.
“U fry çështja ndaj reaguam? Kjo është e pavërtetë sepse detyra e policisë është bërë në mënyrë korrekte. Mark Frroku, Arben Ndoka, Armando Prenga? Unë bëj gabime, por kurrë me qëllim. Isha i gatshëm të jepja përgjigje, por ju nuk po më lini të flas. Është shpifje që Frroku ka qenë në PS. Ndoka ka qenë zgjedhja ime.
Nuk kam pasur asnjë qëllim të vendos kriminelë në lista. Unë mbaj përgjegjësi për këta emra. Ata kishin një dëshmi penaliteti të pastër, por më pas doli një ligj dekriminalizimi ndërsa ju vazhdoni të bëni rolin e inkuizitorit” – tha Rama duke iu drejtuar Sokol Ballës: “Edhe ti mbaj rregull në studio!”. Tonin e kreut të qeverisë gazetari Agron Gjekmarkaj e quajti “arrogancë qeverisëse”.