Rama paralajmëron hapin e radhës anti-KÇK: Koha për hesap për pasurinë
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka paralajmëruar se bizneset e konfiskuara të personave të skeduar si persona të inkriminuar, të akuzuar apo dënuar për një vepër penale do të duhet të paguajnë faturat e taksave “të mbyllura në sirtarë” nga inspektorët tatimorë të korruptuar.
Në të kundërt, Rama ka ritheksuar se nëse pasuria e sekuestruar buron nga krimi ajo të konfiskohet përgjithmonë.
Rama thotë se asnjë shitje apo transferim i pasurisë së sekuestruar tek familjarë apo të afërm nuk e shpëton atë nga konfiskimi, pasi ligji special do të hetojë çdo person të rrethit familjar që zotëron pasuri të pajustifikueshme.
“Të dënuar për trafik droge, qeniesh njerëzore, vrasje krime të rënda. Të akuzuar që i kanë shpëtuar drejtësisë në bashkëpunim me KÇK.
Le të provojnë para drejtësisë që pasuria e tyre nuk ka lidhje me taksat e munguara. Nëse pasuria është produkt i punës paguan taksat e munguara, nëse pasuria buron nga krimi ajo konfiskohet përgjithmonë.
Asnjë shitje apo blerje e pasurisë kriminale nuk e shpëton atë nga konfiskimi. Ligji special prek çdo pjesëtar të rrethit familjar që zotëron pasuri të pajustifikueshme dhe me çdo transaksion pasurie me këtë individë“, thuhet në videon që ka publikuar Rama.