Rama: PD është kthyer si familja e Plakut Mere
Partia Demokratike është kthyer si si familja e plakur Mere dhe vazhdon të numërojë tespijet e plakut Mere.
Kështu u shpreh nga qyteti i Shkodrës Kryeministri Edi Rama, i cili bashkë me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, zhvilluan mitingun elektoral në Bashkinë e Shkodrës, ku për Aleancën për Shqipërinë Europiane kandidon Keti Bazhdari.
Rama i ka drejtuar një apel qytetarëve të Shkodrës që të mos mbështesin komunistin e fundit që ka mbetur vërdallë, duke nënkuptuar këtu ish-Kryeministrin Sali Berisha.
“E pashë thelbin e programit të Voltana Ademit, që kandidon përballë Keti Bazhdarit. Thelbi i programit të saj ishte “Rama-Meta kanë mbaru, kanë mbaru”.
Cfarë program është ky? Por ky është thelbi i programit të Partisë Demokratike, e cila shpreson të gjejnë budallenj që shpresojnë që në 22 qershor do kenë energjinë qyl dhe që do kthejnë mbrapsht rrotën e historisë. PD kërkon të zgjedhë kryetarë ata që më 22 Qershor do të këndojnë si kjo zonja në Shkodër, Rama-Meta kanë mbaru, kanë mbaru.
PD ka humbur programin, por ka humbur edhe punën e kryetarit të saj. PD ka vetëm një punë të bëjë sherr në Kuvend dhe tani kërkon që sherrin e kuvendit shqiptarët ta shohin 7 ditë me rradhë. Anëtarëve të PD nuk po i kërkoj të merrni teserat e PS apo LSI, por po u them se më 21 Qershor zgjidhen problemet e komunitetit, zgjidhen problemet e gropave në rrugë, të plehrave. Nëse duan të zgjidhin hallet e PD le të shkojnë në drejtimin e paditur.
Në Shkodër kandidon një vajzë e këtij komuniteti, e cila në krye të bashkisë nuk do të tundë flamurin e PS apo LSI. Qyteti që ka vuajtur më shumë nga diktatura, ka ende njerëz që vijojnë të shikojë si idhull komunistin që ka mbetur vërdallë. Keni qenë të parët që nxorrët barcaletat kundër komunizmit, ishit të parët që u ngritët kundër komunizmit, por si ka mundësi që jeni të fundit në largimin e komunistit të fundit?”, iu drejtua Rama mbështetësve dhe simpatizantëve të ASHE-së, në një miting të zhvilluar në sheshin qendror të qytetit.
Në vijim Kryeministri theksoi se në bashkitë e drejtuara nga Partia Demokratike nuk ka pasur absolutisht asnjë nxitje, asnjë dëshirë, asnjë përpjekje për të kërkuar bashkëpunim me qeverinë dhe për të vënë në jetë ndryshimin.
“E vetmja gjë që mbaj mend nga bashkëpunimi me bashkinë e shkodrës është që na u desh 3 javë që të merrnim celësin e stadiumit të shkodrës, 3 javë për një celës që hapte një derë hekuri, për të hyrë në një ferr. Tre javë vetëm për një celës, për të filluar një investim që nuk është për politikën, por për sportin, për shkodrën e shkodranët, për ekipin tonë kombëtar. Imagjinoni kur i duhet 3 javë për të dorëzuar një celës sa i duhet atyre për të dorëzuar një projekt. Është një fushatë që flet për komunitetin dhe që flet për kandidatë që janë angazhuar në projekte që i shërbejnë komunitetit.
PD po bën një fushatë për energjinë qyl më 22 qershor, që flet për taksat më të ulëta në botë, që flet për grisjen e hartës territoriale. Ja ta zëmë se do i votoni, por me cfarë do i realizojnë këto? Me celësin e stadiumit apo me celësin e stadiumit do të kthejnë pas historinë, duke kthyer ndarjen e tmerrshme në 400 njësi.
Kjo është një fushatë që tregon pse 21 qershori është i rëndësishëm për familjen, për familjen që kur del nga muret e shtëpisë ka nevojë për bashkinë, për familjen që është e interesuar të çojë fëmijkët në çerdhe, kopshte e shkolla, për familjet që janë të interesuar që rrugët të jenë pa gropa e pa plehra, për familje që kërkojnë transport, që kanë nevojë të kenë ujë. Njerëzit kanë nevojë për një bashki që të kenë një kryetare apo kryetar që të kenë një derë ku të trokasin, të zgjidhin problemet e tyre”, tha Rama.