Rama: PD prej kohësh flet përçart, pas 21 qershorit edhe ajo “në drejtimin e duhur”

Kryeministri Edi Rama zhvilloi mitingun përmbyllës elektoral sot paradite në Devoll, ku u shpreh se në zgjedhjet e 21 Qershorit synohet që të rikthehet edhe Partinë Demokratike në drejtimin e duhur.

“Këto zgjedhje do të jenë një shkundje edhe për PD, sepse edhe PD na duhet në drejtimin e duhur. Na duhet një opozitë që nuk flet përçart, por një opozitë që flet me njerëzit dhe për njerëzit dhe që mban nën tension Qeverinë me alternativa, jo me shpifje”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se ndarja e re administrative i jep fund mungesës së potencialeve të pushtetit vendor për t’u shërbyer qytetarëve, por edhe abuzimit prej kryetarëve.

“Qytetarët e Devollit kanë votuar gjithë këto vite për komunat, por kanë marrë shumë pak në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq kanë marrë mbrapsht kryetarë komunash grabitës pyjesh, kullotash, kryetarë komunash që janë marrë me tjetërsime titujsh pronësie, me transformimin e ndihmës ekonomike në një lëmoshë për skllevër elektoralë. Kjo do të marrë fund më 21 Qershor!”, tha Rama.

Ndryshimet mes Korçës së drejtuar nga socialistët dhe Devollit të drejtuar nga demokratët, për Ramën janë  dy shembujt tipikë që tregojnë dy modele të ndryshme.

“Dy shembuj që ndajnë modelin tonë për zhvillimin e komunitetit me modelin e PD-së për të sunduar komunitetin”, deklaroi Rama. Pasdite kryeministri Rama ka planifikuar mbylljen e fushatës edhe në Prrenjas e Librazhd.

SHKARKO APP