Rama: PD-së i ka mbetur vetëm propaganda, me prova ne jemi krejt ndryshe
Duke e konsideruar si një tjetër moment fatkeq të Parlamentit, në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri Edi Rama është shprehur se, kur diskutohet një çështje kaq me rëndësi dhe me impakt të madh te qytetarët, siç është reforma administrativo-territoriale dhe Kodi Zgjedhor, Partia Demokratike nuk ka asgjë për të thënë. – “Ata demokratë që kanë mbetur, 300 mijë që ishin në bulevard herën e kaluar, duan të dinë se cili është opinioni i PD-së lidhur me këto çështje, çfarë shikon ndryshe dhe si mendon se mund të bëhen ndryshe, pra duan praktikisht të dinë nga të zgjedhurit se si Shqipëria mund të shkojë më mirë, pasi ata kanë të drejtë që të jenë në opozitë me ne. Por kjo nuk ndodh, sepse PD nuk ka lidhje fare me atë që e bën një parti demokratike dhe funksionale, por edhe përfaqësuese, që është lider-shipi. Këta vazhdojnë të jenë një trup pa kokë, që shfaqet në formën e dy kokave të prera, pa asnjë program dhe ide, se si gjërat mund të bëhen ndryshe”, – u shpreh plot ironi Kryeministri Rama. Sipas tij, PD-së i ka mbetur vetëm propaganda e shfrenuar e kriminalizimit të Policisë së Shtetit, “propagandë që ka filluar prej ditës së parë të kësaj qeverie dhe vazhdon me intensitet e përshkallëzim, duke u kapur nga fakte, që në fakt janë prova e padiskutueshme e ndryshimit të madh që ka ndodhur në Shqipëri. Duke sulmuar rezultate, që janë fryt i punës së një policie të rilindur”. Siç e theksoi kryeministri, me shumë kënaqësi dhe krenari, – “dje është finalizuar një proces komunikimi e bashkëpunimi me FBI-në, ekspertë të së cilës janë të gatshëm për të asistuar në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të pasur një binjakëzim mes agjencisë më prestigjioze të luftës kundër krimit dhe institucionit më të lartë që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në drejtësi te ne”. Sipas Ramës, drejtuesi i delegacionit të FBI-së, ndër të tjera, i kishte treguar se FBI, përmes një hetimit të saj, kishte futur në burg të vëllanë e një prej zyrtarëve më të lartë të FBI-së, falë hetimit të kësaj agjencie. “Nëse ky zotëria do të ishte në Shqipëri, edhe ky personi duhej të ishte futur në burg sipas jush, sepse do të ishte fajtori që fshihej pas të vëllait”. Me këtë shembull, Kryeministri Rama ka theksuar se sa të ndryshëm janë qeveritarët e tanishëm në pushtet, krahasuar me atë që bënin dikur pushtetarët e drejtuar nga PD-ja e Sali Berishës. “Faktikisht kemi dhënë një provë që ju s’e keni dhënë kurrë. Kurrë nuk u ndatë e jo më të ndërmerrnit një proces penal, ndaj inkriminimit të pushtetit tuaj. Përkundrazi, ishit streha e atyre që në emër tuaj grabisnin, vrisnin dhe manipulonin drejtësinë për të shkelur lirinë dhe të drejtat në këtë vend”, – theksoi Rama, në fjalën e tij nga poltroni i Kuvendit.