Rama: PD s’është ngritur ende nga disfata e 2013-ës

Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi sot se “reformat që po ndërmerr qeveria janë jetike për vendin dhe nëse ato do të kishin marrë jetë vite më parë, sot situata në sektorët jetikë të vendit do të ishte ndryshe”.

Kështu, në një takim për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste, që u zhvillua sot pasdite në Tiranë, me përfaqësues nga njësia 4 e kryeqytetit, kryeministri Rama duke marrë fjalën tha se sot vendi po vuan pasojat e abuzimeve të kryera përgjatë një gjenerate të tërë.

“Nëse paratë e shtetit do të ishin investuar në arsim, shëndetësi apo bujqësi, sot situata do të ishte ndryshe. S’do të kishim një shkollë apo një spital jashtë standardeve”, tha Rama, ndërsa nënvizoi se, në këto 25 vjet klasat politike qeverisëse i kanë lejuar vetes një fushë abuzimi shumë të madhe, pasojat e të cilës ndihen sot.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Nëse aksioni anti-informalitet do të ishte bërë më parë, ne do të kishim fituar më shumë para që do t’i kishim investuar në shëndetësi në 20 vjet. Sikur librat e Kembrixhit dhe Oksfodit t’i kishim futur me kohë, ne sot do të kishim mijëra të rinj të kualifikuar e që do kishin shumë më tepër shanse, që si forcë e kualifikuar pune të ishin konkurrues edhe në tregun e jashtëm”, ka shtuar Rama.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ne sot gjendemi përpara faktit që hapjes sonë i përgjigjen kaq shumë njerëz dhe mund t’i përgjigjen edhe më shumë njerëz nëse organizohemi si duhet”, tha Rama, ndërsa deklaroi se nga një anketim i bërë para nisjes së proçesit të anëtarësimeve, 11% e shqiptarëve duan të anëtarësohen në PS, ndërsa në PD vetëm 6%.

“Ajo që ne na duhet është t’ua krijojmë njerëzve mundësinë, natyrisht nuk bëhet fjalë të fusim gjithë popullin në parti, por t’u krijojmë njerëzve mundësinë dhe kushtet që të ndihen të nevojshëm. Na duhet reciprocikisht që të ndjehemi të dobishëm dhe që ta përdorin PS-në në funksion të aspiratave të tyre dhe nevojave të komunitetit që përfaqësojnë”, deklaroi Rama.

Sot vendi, vijoi kreu i ekzekutivit nuk ka opozitë. “Qeveria e vjetër nuk ka sesi të bëjë gjë tjetër për sa kohë nuk është zgjuar dhe nuk ka kuptuar se nuk është më në qeveri. Pasi akoma nuk është ngritur nga fusha e disfatës së zgjedhjeve të 2013-ës. Dhe e ka të pamundur të ngrihet për shumë arsye që mund të kenë interes në një bisedë tjetër”, tha Rama.

Ai deklaroi më tej se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mund të futet në librin e rekordeve ‘Guiness’ për shkak të numrit të madh të deklaratave të bëra nga PD-ja. Por, vuri ne dukje Rama, për çfarë sulmohet? Si kriminel, bashkëpunëtor në krim, e kështu me radhë.”Lazarati nuk ishte ajo fusha me bar dhe ca ordinerë me automatik që i rezistuan policisë nja 5 ditë, por ishte një fushë me bar që nxirrte para të zeza. Nuk është një gjë që ndodh në Shqipëri për herë të parë, por është fakt. Shqipëria e sotme nuk është e gatshme për të ndërmarrë një operacion zbardhjesh të financimeve të këtyre fushatave”, theksoi ai.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe deputetë e përfaqësues të PS-së. Duke marrë fjalën më herët në këtë aktivitet, ministri Tahiri tha se, tek Partia Socialiste mblidhen njerëzit më të mirë.Të rinj e të reja që kanë ëndrra për të bërë më të mirën në këtë vend.

“Qeveria, kryeministri janë përpjekur këto 2 vjet të bëjnë gjëra që nuk janë bërë në qeverinë e kaluar. Është më e thjeshtë të mos bësh asgjë. Më e thjeshtë të mos i hysh belasë për të prishur ndërtimet pa leje. Më e lehtë të lësh Lazaratin. Ne i kemi hyrë një sipërmarrjeje shtetformuese”, tha Tahiri, ndërsa vuri theksin se në PS ka çdo derë e çdo dritare hapur për të komunikuar me qytetarët. Forca jonë është tek njëri-tjetri”, theksoi Tahiri.

“Është shumë e nevojshme që për çdo gjë që kemi bërë deri sot, të flasim me qytetarët. Çdo sfidë që kemi para, ka kosto por ka përfitimin e pamasë për brezat që do vijnë. Shqipëria që duam është tërësisht e mundur”, shtoi ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?