Rama pezullon lejet e ndërtimit në gjithë vendin
Kryeministri Edi Rama ka firmosuar dokumentin që pezullon lejet e ndërtimit në gjithë vendin. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit janë caktuar detyrat që duhet të zbatojë Ministria e Zhvillimit Urban, si dhe Agjencia e Planifikimit të Territorit.
Po kështu, i njëjti vendim parashtron edhe kërkesën për të zgjedhurit e rinj vendorë, të cilët duhet të nisin nga puna për planet e reja vendore, një kërkesë që automatikisht hedh poshtë të gjithë ato plane të miratuara deri më tani. PEZULLIMI Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit përcakton se deri në miratimin e planeve të reja vendore nuk mund të jepet asnjë leje e re ndërtimi.
Kjo në fakt vlen për lejet për ndërtimin e pallateve, kurse vendimi ka të përfshirë edhe një listë të gjatë me përjashtime. Kështu, mund të jepen leje për punime në struktura publike, infrastrukturë, në ndërtime për banim/njëfamiljare, por sipas përcaktimeve të sipërfaqes që lejon KKT.
Po kështu, mund të bëhen ndërhyrje me karakter emergjent apo struktura me interes publik e kombëtar. Por, për të gjitha këto raste përjashtimi, ka edhe një procedurë specifike që duhet të ndiqet nga vendorët para se të japin miratimin.
“Autoritetet e zhvillimit të territorit duhet të vijojnë me miratimin e kërkesave për leje ndërtimi për rastet sipas pikës 2 të këtij vendimi, vetëm pas marrjes së njoftimit nga AKPT për konformitetin e zhvillimit të propozuar me rastet përjashtimore të përmendura më sipër, në rrugë elektronike nëpërmjet Regjistrit të Integruar të Territorit, si edhe informimin e Këshillit Kombëtar të Territorit lidhur me këtë konformitet”, përcaktohet në vendim. Sakaq, të gjithë ata që japin leje pas këtij vendimi ato do të cilësohen nul. Ose të paktën kështu përcakton vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Territorit.
Keshilli Kombetar ka kerkuar qe 61 bashkite e reja te angazhohen ne plane te reja vendore nga e para dhe vetem pasi keto plane te jene dorezuar, qeveria duket se do te lejoje vijimin normal te ndertimit.