Rama poston fotot magjike: ”Shtegu i Goricës”, një tjetër atraksion turistik në Berat
Qytetit të njëmbi një dritareve, Beratit i është shtuar një atraksion i ri turistik, Shtegu i Goricës, i cili ofron mundësi për shëtitje eksploruese për të gjithë të apasionuarit e natyrës. Kryeministri Edi Rama poston foto nga ky shteg i cili ruan habitatin natyror të zonës si dhe ofron një bukuri panoramike të rrallë. Në këtë shteg është vendosur edhe një pikë vrojtimi me konstruksion druri për vizitorët.
“Në sheshin mbi rrënojat e Kalasë së Goricës, do të gjeni edhe pikën e vrojtimit me konstruksion druri, 180 gradë mbi qytetin, ku duket si në pëllëmbë të dorës Kalaja, lugina e lumit Osum dhe gjithë qyteti 2500-vjeçar”, shkruan Rama.
Shtegu ndodhet mbi kodrën e lagjes “Goricë” dhe pamja që shfaqet në ngjitje të tij është e mrekullueshme. Në këtë shteg ndodhen edhe rrënojat e kalasë së Goricës, të cilat datojnë që në gjysmën e parë të shekullit III. Shtimi i kërkesave të vizitorëve për itinerare natyrore të reja ka bërë që të hapet edhe ky shteg dhe të vendoset në udhërrëfyesit që u ofrohen vizitorëve.