Rama propozon treg rajonal për energjinë elektrike, Meta del kundër: Shkëmbimet mes Kosovës dhe Serbisë janë zero
I pranishëm në konferencën “Mbi mundësitë në zhvillimin e energjisë së rinovueshme në Ballkanin Perëndimor”, kryeministri Edi Rama tha nga Beogradi se është e nevojshme të rajonizohen tregjet sa i takon energjisë. Por kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thekson se shkëmbimet mes Kosovës dhe Serbisë janë zero, ndaj dhe nuk e mbështet këtë propozim. ”Kriza energjitike në Shqipëri, ka sot shkak kryesor modelin ekonomik që ky sektor zbaton këto 10 vitet e fundit. Shumë pak investime në rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet tona natyrore dhe asnjë investim për prodhimin e energjisë nga gazi natyror”,-shkruan Meta në një postim në facebook.
Postimi i plotë
Tregu rajonal i energjisë, fillon duke respektuar Bllokun e Kontrollit të Pavarur të Operimit, ku ti vetë je pjesë. Shqipëria është në një bllok kontrolli bashkë me Kosovën, e cila nuk përfaqësohej në takimin e Beogradit.
Serbia është bllok kontrolli i pavarur së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat përfaqësoheshin të plota në Beograd. Shqiptarët duhet ta dinë se shkëmbimet tregtare të energjisë midis Kosovës dhe Serbisë janë zero.
Si mund të flasësh për treg rajonal apo bashkim tregjesh, kur ende nuk ke në operim tregun lokal të energjisë? Bursa Shqiptare e Energjisë ka si aksionerë OST dhe KOSTT. Të mendosh që tregu energjisë zgjidhet nga Ballkani Hapur, është injorim i investimeve të realizuara në sektorin energjitik nga shqiptarët dhe donatorë shumë të rëndësishëm si Banka Botërore, KFË dhe EBRD.
Kriza energjitike në Shqipëri, ka sot shkak kryesor modelin ekonomik që ky sektor zbaton këto 10 vitet e fundit. Shumë pak investime në rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet tona natyrore dhe asnjë investim për prodhimin e energjisë nga gazi natyror.