Rama: PS sjell zhvillim, partitë e tjera veç rrëmujë! Kaosi në Kuvend bëhet për interesa personale
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në kuadër të turit të organizuar për anëtarësimet e reja, tha se pavarësisht të metave që mund të ketë, Partia Socialiste është forca politike që sjell zhvillim të vendit krahasuar me forcat e tjera politike.
Ai ironizoi PD-në dhe Rithemelimin, duke thënë se partitë e tjera vetëm sa e kanë degraduar vendin dhe për këtë mori si shembull gjendjen e stadiumit ”Loro Boriçi” në Shkodër ku ditë më parë inspektoi punimet e disa prej projekteve që po zbatohen.
”Pa diskutim që kemi të metat tona dhe jemi larg së qeni të pagabueshëm, por mund të thuhet se jemi një forcë që sjell progres, diku më shumë, diku më pak ndërkohë që forcat e tjera sjellin rrëmujë, konfuzion dhe një status-quo që e degradon realitetin ku qeverisin në mënyrë të vazhdueshme.
Në Shkodër më ka lënë mbresë shumë të keqe, po e sjell këtu si shembull të faktit që kjo ndodh kudo kur ata të tjerët marrin mandatin për të bërë diçka. Një stadium i ri i ndërtuar për ndeshje ndërkombëtare, i cili më besoni ishte katandisur në një objekt sikur aty kishte rënë bomba edhe prej vitesh nuk kishte shkelur njeri. Asnjë përkujdesje asnjë mirëmbajtje vetëm degradim. Si stadiumi është e gjithë Shkodra, e cila ka filluar të marrë veten hap pas hapi”,-tha Rama.