Rama publikon mesazhet e qytetarëve: Rrofsh sa malet!
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë të re marketingu politik. Çdo ditë poston mesazhe që qytetarët i dërgojnë për në telefonin e tij, pasi kanë zgjidhur ndonjë problem që kanë pasur me administratën.
Qytetarë të ndryshëm, pasi kanë marrë shërbimin e duhur me ndërhyrjen e direke të Edi Ramës, e shohin të udhës që t’i shprehin mirënjohje kreut të qeverisë.
Mesazhet që i vijë në adresë janë të tipit: “Rrofsh sa malet”, “Tu bëftë dita 1 mijë!”, “Mu thafshin duart që nuk votova për ty” dhe shumë urime të tjera të larmishme që përmban gjuha shqipe. Pavarësisht hallit urgjent që mund të kenë pasur qytetarët, publikimi i mesazheve të tilla të kujton urimet që dikur i bëheshin Enver Hoxhës. Mungojnë vetëm shprehjet “Marrsh nga ditët tona”.
Që qytetarët falënderojnë kryeministrin kjo nuk është diçka e keqe. Por në serinë e publikimeve të Edi Ramës nga komunikimet private ka një problem që tregon pikërisht mosfunksionimin e shtetit që ai drejton.
Kur sheh se një familjar ankohet të kryeministri se vajza e mitur nuk ka drita, pasi i kanë prerë asistencën, kjo është nga ato ngjarje që të tronditin. Pas SMS-së te kreu i qeverisë dritat i lidhen dhe ai falënderon me gjithë zemër Edi Ramën. Por këtu qëndron edhe problemi. Për një hall të tillë përse duhet t’i shkruash kreut të qeverisë? Çfarë kanë bërë ministritë, institucionet dhe gjithë shteti, para se një qytetar t’i shkruaj Edi Ramës? Ku janë gjithë ato reklama dhe premtime se institucionet janë në shërbim të qytetarëve? Derisa mesazhi të vinte të Rama qytetari i ka provuar të gjithë dyert e institucioneve të rilindura dhe ka parë që nuk funksionojnë.
Zgjidhja e gjithë problemeve më këtë mënyrë, përveç se është e pamundur tregon institucionet e tjera nuk funksionojnë. Kjo duhet të shqetësojë seriozisht një kryetar qeverie. Sepse në momentin që lidhja e dritave për një familje në skamje ka mbetur në dorë të kryeministrit, atëherë shteti social ka marrë fund dhe ka mbetur vetëm propaganda në Facebook.
KOHA JONË SONDAZH

