Rama ”pushton” mediat gjermane. Kryefjalë për qëndrimet: BE është e vetmja zgjedhje
Qëndrimet e fundit nga kryeministri Edi Rama për BE-në, kanë rrëmbyer vëmendjen e mediave europiane e kryesisht atyre gjermane. Media ”Braunschweiger Zeitung”, ndalet te çështja e emigrantëve dhe citon kryeministrin të thotë se “ndihma ndaj Italisë shpjegohet përmes marrëdhënies speciale mes dy vendeve tona”.
Sipas medias gjermane Welt, “Shqipëria po kontribuon për një përgjigje të përbashkët europiane ndaj sfidës së emigracionit të paligjshëm”. ”Berliner Morgen Post” citon Ramën të thotë se “Shqipëria nuk e ka harruar se Italia priti njerëzit tanë kur ne u arratisëm nga ferri i komunizmit në vitet ’90 dhe hapi dyert për qindra mijëra shqiptarë që mbërrinin me anije”.
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Rama është pyetur nga “Berliner Zeitung” nëse Shqipëria e mendon ndonjëherë të tërhiqet nga integrimi Europian dhe t’i bashkohet grupit BRICS, grupim i ekonomive botërore të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut. Rama deklaron për ZDF gjermane se ”ne jemi besnikë ndaj BE-së deri në vdekje” dhe se ”ne nuk e humbim kurrë durimin, sepse nuk ka alternativë tjetër drejt Bashkimit Evropian”.
Edhe media gjermane “Landes zeitung” citon gjithashtu Ramën mbi përpjekjet e qeverisë së tij në luftën kundër korrupsionit në çdo nivel. ”Ne po e luftojmë sistematikisht me një sërë reformash. Ne po modernizojmë shtetin tonë”, deklaron kryeministri. ”Westfalen Post”, ndalet edhe te ambicia europiane e Shqipërisë, duke iu referuar kryeministrit Rama kur thotë se ”ambicia jonë është të arrijmë kërkesat ligjore dhe teknike për anëtarësim brenda 2030”.