Rama: Qeveria, e vendosur për të hapur dosjet
Kryeministri Edi Rama shprehu sot vendosmërinë e qeverisë për hapjen e dosjeve, ndërsa theksoi se ky proces do të shërbejë për t’u ballafaquar me të shkuarën, por pa e përdorur atë në funksion të një lufte politike apo shoqërore. Gjithashtu, ai premtoi edhe hapjen për publikun edhe të tuneleve të nëndhshme të Tiranës, të cilat përdoreshin në kohën e regjimit të Enver Hoxhës si pjesë e infrastrukturës sekrete.
Këto komente Rama i bëri gjatë inaugurimit të një tjetër muzeu, “Shtëpisë me gjethe”, e ndodhur në krah të Gjykatës së Lartë, e cila gjatë regjimit shërbente si një nga godinat kryesore të ish-Sigurimit të Shtetit për përgjimet dhe gjurmimet.
“Kjo godinë ka vijuar të ishte pjesë e shërbimit sekret shqiptar. Më ka surprizuar fakti, sipas drejtorit të SHISH dhe specialistëve, që edhe pse Shqipëria ishte larg të qenit një fuqi e standardeve të larta teknologjike, në këtë godinë ishin pajisjet më të sofistikuara për kohën, të cilat cilat silleshin nga perëndimi kapitalist me të cilat kjo godinë luftonte.Regjimi nuk i kursente paratë për pajisje të teknologjisë së kohës në funksion të përgjimit të jetës së tjetrit. Është një dëshmi shqiptare e filmit të famshëm “Jeta e të tjerëve”, në të cilin tregohet për jetën reale të Gjermanisë Lindore në vitet e errëta të ndarjes nga Muri i Berlinit”, theksoi kreu i qeverisë.
Rama tha gjithashtu se ky muze është i dyti në zinxhirin e një projekti që do të vazhdojë me nëndheun, pasi Tirana ka infrastrukturë të pazbuluar të tuneleve të nëndheshme, të cilat ishin pjesë e infrastrukturës sekrete të regjimit të shkuar.
“Në fund projekti do të finalizohet si një muze i vrimave të së shkuarës, për të penetruar në infrastrukturën fizike dhe logjike të vetëdijes sonë, duke përbërë një hartë të mirëfilltë muzeale”, theksoi Kryeministri.
Rama e krahasoi rrjetin e ndërtuar nga Sigurimi i Shtetit në kohën e regjimit me atë të rrjetës së merimangës, ndërsa theksoi se do të bëhet e mundur që qytetarët shqiptarë të shohin një nga një pamjet e regjimit komunist.
“Ne sot po bëjmë as më shumë e as më pak, modestisht, me çfarë kemi trashëguar, atë që Gjermania e ka bërë qysh në krye të erës me shembjen e murit. Një proces përballjeje me të shkuarën e vet, e cila i përkiste gjysmës së Gjermanisë, por për gjysmën tjetër, për pjesën pjesën që u bë zemra e bashkimit, të mos lihej asnjë e çarë asnjë e krisur për shkak të mosballafaqimit me të shkuarën, për shkak të mosdizifektimit të asaj gjysme që iu bashkua gjysmës tjetër në emër të të ardhmes. Pjesë e kësaj do të jetë edhe hapja e dosjeve, bazuar në modelin gjerman, një model në këndvështrimin tonë i shkëlqyer për tu ballafaquar me të shkuarën pa e përdorur të shkuarën në funksion të një lufte politike apo shoqërore, por për ta shfrytëzuar të shkuarën që historia të mos përsëritet. Do të bëjmë publike, aq sa mund të jetë e njohur për publikun, e gjithë ngrehina e gjurmimit, përgjimit, trembjes së njerëzve, të cilët përveç Enver Hoxhës, nuk kishin asnjë imunitet. Hitosria e regjimit komunist ishte shprehje kuptimplotë që revolucioni përfundon si ngrënësi i bijve të vet dhe rrethi vicioz përfundon tek krijuesit e vet”, theksoi Rama.