Rama reagon për Reformën Zgjedhore dhe flet për kushtin e panegociueshëm: Nuk mbështetet as nga ODHIR!
Gjatë fjalës së tij në Kuvend kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe debatet e shumta të ditëve të fundit për Reformën Zgjedhore.
“Po e nis me Reformën Zgjedhore, jo për nga rëndësia por sepse besoj që shkon përtej debatit të zakonshëm. Atëherë, pa dashur të bëjë histori të gjatë, dua të sjell në kujtesën e të gjithëve se qysh pas zgjedhjeve të vitit 2017, jemi angazhuar publikisht që të adresojmë me synimin e vënies në jetë në zgjedhjet e 2019, çështjen e elektronikës në zgjedhje. Përsëri, nëse ju kujtohet, qysh asokohe kam thënë se nëse duam dhe nëse duan seriozisht të përfshijnë elektronikën në sistemin zgjedhor, kolegët që asokohe ishin në sallë duhet të angazhoheshin, sepse bëhej fjalë për një proces jo të lehtë. Këtu, kujtoj që asnjëherë në asnjë rast, për asnjë vend, dhe herët kur është pyetur nga ana jonë dhe kur them ana jonë kam parasysh palët politik, ODIHR-i, nuk është entuziast për teknologjinë në zgjedhje. E sheh teknologjinë me skepticizëm, nuk e inkurajon si inovacion për 1001 arsye dhe kërcënimet potenciale të teknologjisë në zgjedhje, gjë që ka bërë që vende si Gjermania ta konsiderojnë si antikushtetuese, teknologjinë në zgjedhje, dhe përsërit se nëse do të futet do të futet me faza. Ne në PS e kemi testuar në zgjedhjet tona, dhe kemi arritur në përfundimin se futja e teknologjisë në një sistem offline, për të mos lejuar penetrime dhe hakerime që mund të influencojnë procesin, është e mundur dhe mund të sjellë lehtësira jo të vogla”, ka deklaruar mes të tjerash Rama.