Rama: Saliun mbajeni mbret

 

Në qoftë se e duan Saliun akoma, le ta mbajnë për mbret, por për shërbëtorë të zgjedhin kryebashkiakët dhe kryebashkiaket tona.Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama nga Burreli, ku prezantoi kandidaten e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Adelina Farrici për këtë bashki.

Rama u bëri thirrje banorëve të Matit të zgjedhin Adelinën, ashtu sikundër banorët e Klosit të zgjedhin Valbonën, Melaimin në Bulqizë dhe Shukriun në Dibër.

“Ne kemi provuar këto 18 muaj se jemi shumë të ndryshëm. Ne dallojmë në një gjë. Ne nuk gërhasim kur qeverisim, por ne jemi zgjuar dhe në krye të çdo pune. Prandaj, atyre lërini llafet dhe sherrin e të enjtes në parlament, ndërsa kandidatët tanë dhe forcave tona besojuni punën, punën, punën; shtetin, shtetin, shtetin.

Në fund, dua t’ju bëj një thirrje të gjitha grave dhe vajzave të Matit, të gjitha nënave, të gjitha motrave, të gjitha atyre, pa të cilat asnjë shtëpi nuk rri dot në këmbë. T'u them, të shkojnë derë më derë, të takojnë çdo grua dhe vajzë, dhe së bashku të gjitha t’i japin Adelina Farricit të gjithë fuqinë e gruas, të nënës, të vajzës dhe motrës, sepse të kesh një grua në krye të shtëpisë është fat për çdo burrë, dhe burrat e dinë mirë këtë, pavarësisht se kur janë në mexhlis nuk e pranojnë”, u shpreh Rama.

SHKARKO APP