Rama sfidon qytetarët: Protestoni sa të doni, ligji i mbetjeve do zbatohet!
Kryeministri Edi Rama, pak pas përfundimit të protestës së shoqërisë civile, ka shkuar në rrjetet sociale për dobinë e ligjit të importit të mbetjeve.
“Çdo qytetari mes protestuesve sot që mendon se e do Shqipërinë më të pastër se unë i them: Je gabim! Ligji i shërben pikërisht qëllimit tënd”,- shkruan kreu i Qeverisë.
Ndërkohë qindra komentues kanë kërkuar nga kreu i qeverisë që të mbaj premtimin që ka dhënë 3 vjet më parë kur ishte kundër ligjit.
Por veç shpjegimit të dobisë që ka ligji, Rama ka replikuar me komentuesit. Ai u ka bërë një sfidë të hapur qytetarëve teksa i ka thënë një komentuesi se mund të protestojë sa të dojë, pasi ligji do zbatohet.
Më poshtë dialogu mes qytetarit dhe Ramës në Facebook:
Qytetari: Të drejtën e protestës nuk e heq dot ti, dhe harroje se ky ligj do zbatohet. Vendos populli me referendum dhe jo qeveri plehrash që ndërrohen çdo vit.
Rama: Martin, që ky ligj do zbatohet kjo as nuk vihet në diskutim, sepse Shqipëria do pastrohet dhe përmes këtij ligji ndihmohet pastrimi jo e kundërta! Ndërsa për opinionin tënd, që mund ta mbash e të protestosh sa të duash, kam vetëm një këshillë: Lexo rreth kësaj teme dhe do ta kuptosh vetë që je komplet gabim!
Më tej në një tjetër koment, Rama legjitimon edhe vendimin për të mos u tërhequr nga protestat. Ja argumenti që ka ai kundër protestuesve, duke i quajtur grup njerëzish. “Qeveria del nga vota e popullit për të drejtuar vendin, jo për t’i ardhur pas avazit çdo individi apo grupi njerëzish që mendojnë së janë vetë populli!”, shkruan Rama.
Një tjetër qytetar i kërkon kryeministrit hedhjen në referendum të ligjit. Rama thotë, se referendumi nuk mund të mbahet për një ligj që lejon importin.
“Referendum për të drejtën e kompanive që të blejnë lëndë të parë jashtë?! Ku është parë kjo?! Ndërkohë që referendumin e kërkojnë këtë herë ata që duan të lozin me popullin apo që s’duan të kuptojnë ligjin e ri, ndërsa për mua gjithçka është e qartë, e pastër, në interes të vendit!”,-shkruan Rama.
https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10154059925946523?comment_id=10154060018636523&reply_comment_id=10154060135336523&comment_tracking=%7B%22tn%22%3A%22R9%22%7D