Rama shpik grupe armiqësore për fushatë: Bllokuesit e fluturimeve në aeroport do të ndiqen penalisht
60 kontrollorët e kompanisë së monitorimit të trafikut ajror Albcontrol do të kallëzohen penalisht. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter, pas vendimit për pezullimin e fluturimeve në aeroportin “Nënë Tereza”, për shkak të grevës së nisur prej tyre, për uljen e pagës.
“Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cenim të sigurisë kombëtare”, shkroi Rama në Twitter, pas dështimit të bisedimeve mes kontrollorëve dhe ministres së Infrastrukturës Balluku.
Ai akuzoi si fajtorë të këtij bllokimi Presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha: “Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza” nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat!”.