Rama: Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj për fuqizimin e grave, duke filluar nga politika

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të martë në ceremoninë e fillimit të konferencës së rrjetit Parlamentar “Gra të lira nga dhuna”. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj për fuqizimin e grave.

“Besoj se kemi një Shqipëri të re, në shumë drejtime. Është një vend që po përjeton një rilindje të vërtetë si një shtet, por gjithashtu dhe si një komb, i cili qëndron ndërmjet komunitetit të vendeve demokratike i ndërtuar duke fituar gjithmonë e më shumë respekt dhe gjithashtu duke bërë nga vetja sa më shumë që të jetë e mundur atë që i kërkohet për ta pasur këtë respekt”, tha Rama.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë nënvizoi se shpresojnë që vitin tjetër do të mikpresim Samitin e Komitetit Politik dhe ka shumë shpresë që brenda vitit 2030 do të kemi dhe një Samit të NATO-s.

”Ne kemi bërë hapa të mëdhenj duke fuqizuar gratë, duke filluar nga politika, dhe sot ne renditemi mes vendeve kryesore sa i përket pjesëmarrjes së grave në qeveri. Ne nuk renditemi ndoshta në krye, por jemi të radhitur shumë mirë sa i përket pjesëmarrjes së grave në parlament. Gjithashtu jemi në renditje në nivele të larta për pjesëmarrje të grave në administratë dhe në pozicione drejtuese dhe kjo është gjë shumë e mirë”, tha Rama.

SHKARKO APP