Rama: Shqiptarët jo vikingë që pushtojnë Anglinë, qesharake ti quash të tillë
Çështja e shqiptarëve në Angli, vijon që të jetë në qendër të vëmendjes si të politikës dhe të medias. Kryeministri Edi Rama, thotë se Mbretëria e Bashkuar ka dështuar prej vitesh të marrë seriozisht çështjen e rritjes së azilkërkuesve, paçka thirrjeve të përsëritura për ta bërë këtë. Ai ka akuzuar qeverinë britanike se po përpiqet të krijojë një narrativë që fajëson Shqipërinë.
”Politikat britanike kanë çuar në këtë ”turp””, tha Rama për ”Bloomberg”. “Nuk është e zgjidhshme nëse ushqejnë veten dhe njerëzit me një narrativë se është një grup shqiptarësh që po i bën të gjitha këto. Të trajtosh këta fëmijë të varfër, të cilët po kalojnë Kanalin, si Ragnar Lodbrok dhe Vikingët që pushtojnë Anglinë Lindore, kjo është qesharake”.
Po ashtu Rama tha se shqiptarët kërkojnë azil politik jo sepse përballen me persekutim në shtëpi, por sepse është një rrugë drejt një tregu pune që i përjashton ata. Po ashtu kryeministri pohon se edhe pse është vonë, është mirë që ”të trajtohet kjo çështje në sistemin britanik dhe të mos jepet azil politik në përmasa të tilla që të duket sikur njerëzit po ikin nga një luftë”.