Rama: S’ka më lejë ndërtimi për kompanitë që u japin punonjësve paga minimale
Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme takimet me përfaqësues të biznesit për të diskutuar mbi rritjen e pagës minimale për punonjësit. Rama u ndal edhe njëherë tek ajo çfarë ka paralajmëruar, se kompanitë s’do të marrin leje ndërtimi nëse japin paga minimale.
Rama tha se nuk mund t’i jepet një punonjësi ndërtimi pagë minimale kur në Tiranë metri katror i një apartamenti është 1 mijë euro.
“Kanë në total një numër të punësuarish, 53 277, flasim për ata të deklaruarit. Metri ka qenë 300 dollarë, edhe paga s’kishte si të ishte 300 dollarë apo 400 dollarë, por ishte më pak. Pyetja është kur sot metri katror në Tiranë e ka kaluar 1 mijë euro, si mundemi ne të kemi një pagë minimale në kompanitë e ndërtimit për 32% të totalit të të punësuarve. 32% e 53 mijë njerëzve marrin pagë minimale. Si mund të pranohet kjo. Ky nuk është më një shpërblim i një krahu pune që bën të mundura fitimet më të madha dhe sistematike për kompanitë shqiptare. Ky është shfrytëzim i punonjësve deri në limitet e mbijetesës dhe ne këtë s’kemi për ta toleruar më. Në këtë 32% ka një gënjeshtër të madhe, një pjesë pagat që deklarohen, një pjesë tjetër paguhet në të zezë. Që do të thotë përfitime që janë përtej normales, shkojnë deri te pika e fundit e gjakut dhe djersës nga ana e kapitalistëve tanë”, tha Rama.