Rama sot në Berat, Ardit Çela nxjerr fotot nga pedonalja e re e qytetit: Po prishet se do bëhet parkim, miliarda lekë të hedhura në plehra
Drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Çela ka reaguar në lidhje me vizitën që pati sot kryeministri Edi Rama në këtë qytet.
Çela ka publikuar në profilin e tij në ‘Facebook’ foto nga sheshi qendror në pedonalen e Beratit, i cili edhe pse u rikonstukua pak kohë më parë, është vendosur sërish të prishet. Sipas Çelës, miliarda lekë të harxhuara po hidhen në kosh të plehrave, ndërsa thekson se do të kthehet në parkim.
REAGIMI I ÇELËS
E mbani mend inaugurimin përpara pak kohësh të sheshit qëndror në pedonalen e Beratit.
Miliarda lekë të harxhuara.
Rilindja vendos t’i hedhë në koshin e plehërave dhe me miliarda lekë të tjera vendos të prish pedonalen dhe të bëjë vendparkime.
Nuk po diskutojmë mbi projektet e reja, as mbi prapaskenat me vendimmarrjen dhe me projektin, sepse për to do flasim në të ardhmen. Por flasim për prioritetet e Rilindjes.
Me miliardat e shpërdoruara mund të restauroheshin dhe të rikualifikoheshin lagjet e zonës muzeale, Gorica, Kalaja dhe Mangalemi, duke i kthyer dinjitetin, duke mbështetur turizmin dhe duke ndihmuar familjet dhe biznesin beratas.
Me miliardat e shpërdoruara mund të lidheshin fshatrat me akset automobilistike, duke ndihmuar banorët e fshatrave dhe prodhimet bujqësore të dilnin në treg. Mund të bëhej rruga e Karkanjozit, e Drobonikut, Bilçës.
Me miliardat e shpërdoruara mund të ndërtoheshin ujësjellësat në fshatrat e Velabishtit, Otllakut, Sinjës e Rroshnikut.
Me miliardat e shpërdoruara mund të rregulloheshin lagjet e Beratit, ku zona informale e “30-Vjetorit” sot që flasim i ngjan Venecias.
Me miliardat e shpërdoruara mund të ndërtoheshin qendra rinore e sportive.
Por jo, Rilindja nuk e ka mendjen tek qytetari dhe tek familjet e thjeshta beratase.
Rilindja në Berat prej kohësh është e kapur nga interesa të tjera.
Më 25 Prill, referendumi popullor dhe lapsi i hollë beratas do ta ndëshkojë me votë Rilindjen dhe shpërdoruesit e saj.