Rama sulmon Albin Kurtin dhe krerët e shtetit të Kosovës: Bllokuan marrëveshjet me Shqipërinë
Kryeministri Edi Rama, pas kritikave që po merr çdo ditë në Tiranë dhe Prishtinë për projektin e “Mini Shengenit” me Serbinë, ka hedhur akuza ndaj krerëve të shtetit të Kosovës. Në një intervistë për “Top Channel”, Rama thotë se ideja e Albin Kurtit për bashkimin Kosovë-Shqipëri është një marrëzi. Sfida me Kurtin vijon edhe më tej, teksa shton se me atë do të flas kur të jetë kryeministër me kohë të plotë.
Me tej, kryeministri thotë se marrëveshjet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës janë penguar nga politikanët në Prishtinë, duke bërë në këtë mënyrë akuza direkte ndaj kryeministrave të 6 viteve të fundit në Kosovë.
Në vijim intervista e kryeministrit dhënë gazetarit Muhamet Veliu në Top Channel:
Zoti kryeministër, kjo iniciativë a është konsultuar me Kosovën, pasi kemi parë një deklaratë të zotit Albin Kurti, i cili thotë se kjo iniciativë është e nxituar dhe pa konsultuar. Si qëndron e vërteta?
“E nxituar, ka 5 vjet kjo iniciativë dhe marrja përsipër e nismës mes të tre vendeve për ta shtyrë iniciativën përpara duke mos shtuar asgjë tjetër të re nga dokumentet përmbajtësore të iniciativës përveç lëvizjes së lirë të njerëzve që ka qenë një betejë e gjatë e imja me presidentin e Serbisë dhe ku më në fund ai është dakordësuar gjë që na jep mundësinë të heqim kufirin me Kosovën. Nuk ka absolutisht asgjë tjetër, pra çfarë nxitimi ka këtu. Përsa i përket konsultimit në 5 vjet rresht Kosova ka qenë e pranishme në tryezë, në 5 vjet rresht kryeministrat dhe presidenti i Kosovës janë shprehur dakord me gjithçka që sot ne duam të implementojmë, të zbatojmë, të konkretizojmë jo për vete po për njerëzit tanë. Besoj që nëse ka vend për fjalën konsultë këtu, konsultohet ai që merr përsipër ose vendos të mos vij, jo ai që do shkoj siç të gjithë kanë shkuar. Pra nëse në një moment të caktuar dikush vendos që unë nuk do shkoj atëherë merr në telefon dhe thotë unë nuk do shkoj, tregon arsyet dhe nëse arsyet janë bindëse atëherë sigurisht që JO-ja mund të bëhet e përbashkët. Nëse nuk janë bindëse ai që thotë JO rri me JO-në, ai që thotë PO vazhdon me PO-në.”
Albin Kurti është i mendimit që Shqipëria fillimisht duhet të heqë kufijtë me Kosovën dhe më pas të shikoj në një tablo më të madhe rajonale për këtë proces. A është i drejtë ky qëndrim?
“Nuk dua të them që është i shtrembër, dua të them që do drejtohet kur Albin Kurti të bëhet kryeministër me orë të plota dhe të jetë më i vëmendshëm për këtë proces. Sepse nga njëra anë kufiri nuk hiqet përveçse me këtë mënyrë me marrëveshje me të tjerët. Si heq kufirin Albin Kurti nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi apo do hapi luftë dhe kush Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian apo Kuba do japi pëlqimin për heqjen e kufirit pa marrëveshje me gjithë të tjerët. Do të ishte vetëm një marrëzi. Aq më tepër që ne e kemi parë jo duke hequr po duke thënë se do hiqet kemi ndezur gjithë llambat e kuqe dhe është ngritur alarm gjithandej. Ndërsa përsa i përket asaj që duhet të bërë një herë më Kosovën, të gjitha pikat që ne kemi në këtë nisëm janë pika që duhet të ishin bërë me Kosovën përveç kësaj të lëvizjes së lirë që tani është e mundur, më parë ishte e pamundur. Pse nuk janë bërë, le të hapi letrat Albini edhe të shikoj dosjet, të shikoj protokollet dhe të shikoj dhe ta filloj nga dosja e Bashkimit Doganor që Shqipëria e miratoi nën drejtimin e ministrit tonë të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj është bërë goxha punë me palën kosovare dhe në momentin e fundit pala kosovare tha JO, në qeverinë e Isa Mustafës erdhi Ramush Haradinaj në Tiranë dhe tha këtë do ta bëjmë të parën edhe më pas pastaj tha se dëgjo ashtu është puna do shohim më vonë. Unë nuk po e fajësoj thjesht po them që predikimet janë të nevojshme për politikë por faktet janë të domosdoshme kur bëhesh kryeministër.”