Rama ”sulmon” BE për vaksinën: Vendimmarrje absurde, jam ndjerë i turpëruar
Teksa bëri me dije se Shqipëria ka siguruar 500 mijë vaksina anti-covid, kreu i qeverisë, Edi Rama ka shfrytëzuar mundësinë për të shprehur indinjatën ndaj mungesës së ndihmës nga BE. Kryeministri u shpreh se është ndjerë i turpëruar nga ky vendim sipas tij i papranueshëm dhe absurd, ndërsa ka njoftuar se ka garantuar gatishmërinë e dy vendeve të tjera të Europës për sigurimin e dozave të tjera të vaksinës.
Pjesë nga deklarata
Ju bëj me dije se kemi garantuar ditët e fundit gatishmërinë e dy vendeve partnere për një total prej 9 mijë dozash në gjysmën e parë të janarit. Nuk mund ti përmend emrat sepse sot dinamika e re e krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer, do të ndikojë ose jo në finalizimin e këtyre operacioneve solidariteve nga ana e dy qeverive mike, që nuk na lanë vetëm në këto kohra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm për kontinentin ku jetojmë, ku ende nuk dukej drita jeshile që u ndez mbrëmë. Me dy shtete të tjera po negociojmë për një sasi vaksinash nga Pfizer dhe Astazeneca.
Besoj se shumë shpejt do të kemi qartësi për rezultatin e këtyre negociatave. Jam tejet falënderuar për këto dy vende sepse as njëri dhe as tjetri nuk hyjnë te vendet më të pasura të Europës, por kanë pasur bujarinë që ti konsiderojnë seriozisht lutjet tona.
E kemi kapërcyer kështu në kohë rekord për pozicionin e disfavorshëm nga ku u nisëm, hendekun që hapi në mes të Europës vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht dhe e pajustifikueshme logjikisht e BE.
Si njeri jam ndjerë i indinjuar dhe si evropian jam ndjerë i turpëruar. Si kryeministër i Shqipërisë jam ndjerë më i motivuar se kurrë për të mos lejuar që shqiptarët të mos ndjehen të përjashtuar nga mundësia për tu mbrojtur njëkohësisht me europianët e tjerë nga kjo luftë botërore me rrezikun e vdekjes.