Rama sulmon PD pse e kundërshtoi për anulimin e pagesave të qerave: Çetë vulëhumburish, sa gjynah që janë!
Partia Demokratike e cilësoi sot aktivin normativ të qeverisë që ndalon dhënien e qirave të bizneseve të vogla për pronarët, si anti-kushtetues dhe një vendim që do fusë vendin në konflikt.
Pas qëndrimi të PD-së, ka reaguar sërish kryeministri Edi Rama. Në një postim në Facebook kreu i qeverisë shprehet se akti nuk është miratuar ende dhe detajet e këtij vendimi të pazakontë, ai do t’i shpjegojë sot në një intervistë për emisionin “Opinion”.
Rama thotë se ky vendim është i se sa i drejtë “me ligj e me zakon, e se sa e fajshme është në mes të luftës kjo kundërvënie e verbër e një çete vulëhumburish (pa din, pa iman e pa asnjë hall tjetër veç ëndrrës së tyre në beze), ndaj njerëzve më në hall të kësaj lufte!”.
Ndërkohë kreu i qeverisë sulmon sërish PD-në duke u shprehur: “Sa gjynah që janë, nuk e gjej dot pse Zoti nuk ua ushqen fare vajin e kandilit të trurit as në këtë kohë të errët, po nuk kemi ç’bëjmë!”.
Reagimi i plotë i kreut të qeverisë:
“Ndërkohë që kam publikuar parimin e nismës së Aktit Normativ mbi pagesat e qerave të të dëmtuarve rëndë nga lufta që kanë humbur momentalisht aftësinë paguese dhe janë nën lloj-lloj presionesh, deri edhe të rënda nga qeradhënës të caktuar, shoh që ende pa dalë akti PD-ja është lëshuar siç di vetë kur prek majën e dëshpërimit!
Sa gjynah që janë, nuk e gjej dot pse Zoti nuk ua ushqen fare vajin e kandilit të trurit as në këtë kohë të errët, po nuk kemi ç’bëjmë!
Akti Normativ po bëhet gati, e meqë sonte kisha konfirmuar praninë në studion e OPINIONIT, do të kem mundësinë t’ju shpjegoj edhe qeramarrësve më hallexhinj, edhe qeradhënësve në hallin e tyre, edhe të gjithë të tjerëve me hallet përkatëse të kohës që jetojmë, se sa i drejtë është ky Akt Normativ, me ligj e me zakon, e se sa e fajshme është në mes të luftës kjo kundërvënie e verbër e një çete vulëhumburish (pa din, pa iman e pa asnjë hall tjetër veç ëndrrës së tyre në beze), ndaj njerëzve më në hall të kësaj lufte!”.
https://arkiva.kohajone.com/pd-rama-po-nxit-perplasjen-sociale-mes-shqiptareve-ndalimi-i-pagesave-te-qerase-veper-e-turpshme-dhe-konfliktuese/