Rama sulmon Thaçin e Hoxhajt: Në Serbi s’fola në emër të Kosovës, por për Kosovën. S’ma ndalon dot njeri
Pak ditë pas vizitës 2-ditore në Serbi, ku kryeministri mori pjesë në forumin e sigurisë, por edhe inauguroi librin e tij “Kurban” në gjuhën serbe, si dhe pati një takim me shqiptarët e Preshevës, duket se kjo vizitë por edhe çështja e Kosovës do të zërë një pjesë kryesore të intervistës së tij.
Gjithashtu edhe marrëdhëniet me Greqinë dhe çështja çame do të jetë një tjetër temë e bisedës në “Studio e Hapur”. Por nuk do të mungojnë as çështjet e aktualitetit në vend, duke nisur nga zbatimi i reformës në drejtësi, ligji për importin e mbetjeve, marrëdhëniet me Ben Blushin të larguar tashmë nga PS-ja, të ardhmen e koalicionit qeverisës me Ilir Metën, rritjen e pagave dhe pensioneve në sektorë të ndryshëm, reformat e realizuara nga qeveria e tij në këto 3 vite të mandatit të tij të parë, etj.
Mirëmbrëma faleminderit që jeni këtu
Mirëmbrëma, faleminderit për ftesën!
Faleminderit që keni ardhur menjëherë pas një vizite shumë të polemizuar në fakt zoti Rama edhe në një kontekst të rëndësishëm për kryeministrin e vendit…
E keni fjalën për vizitën në Beograd?
Sigurisht!
Një polemikë artificiale brenda një oborri shumë të ngushtë njerëzish ndërkohë që besoj që për popullin shqiptar këndej dhe andej kufirit nuk ka pasur arsye për asnjë polemikë.
Këtë radhë duke se mesazhet ishin të njëjta por pati një atmosfera krejtësisht tjetër në lidhje me deklaratat tuaja. Ju e prisnit? Çfarë ndodhi realisht sipas jush?
Krejtësisht atmosferë tjetër në Beograd apo në trojet tona?
Në trojet tona, andej dhe këndej Drinit.
Unë mendoj që në trojet tona të paktën duke u nisur nga reagimet e pafundme të njerëzve në rrjetet sociale impakti ka qenë shumë pozitiv dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Për sa i përket Beogradit mendoj që është hedhur një hap i mirë parapara duke rivendosur në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës dhe nga ana tjetër duke ndeshur një reagim ndryshe që nuk do të thotë se në anën serbe ka përparuar ideja e njohjes së pavarësisë por do të thotë që është mirë që ne të imponojmë këtë normalitet që do të thotë një e vërtetë e jona e pakontestueshme të thuhet qartë dhe përherë edhe në mes të Beogradit. Duke i mësuar dhe ata, veshët e tyre me këtë të vërtetë që nuk janë mësuar ta dëgjojnë atje brenda dhe për më tepër të thënë publikisht.
Përse e thënë nga ju dhe jo nga vetë kosovarët? Kjo është akuza që iu bëhet. P.sh. në takimin e Nishit a ishte e ftuar pala kosovare?
Unë nuk shoh asnjë lidhje në këtë dualizim sepse pala shqiptare e Kosovës flet në emër të Kosovës. Unë nuk flas në emër të Kosovës por për Kosovën dhe këtë as nuk ma ndalon dot njeri dhe as është e nevojshme t’i marr dorën kujt nëse duhet të flas apo jo për Kosovën.
A i kërkuat ju palës serbe që Kosova të përfaqësohej në takimin e Nishit?
Nuk është një çështje që më takon mua apo Shqipërisë. I takon Kosovës, lidershipit në Kosovë të përcaktojë modalitetet e gjithë procesit të dialogut dhe të përcaktojë nëse në një moment apo në një moment tjetër duhet të jetë apo jo prezente. Tjetër gjë se çfarë mund të mendoj unë nëse do ta vija veten në vendin e tyre. Por unë nuk e vë veten në vendin e tyre sepse kam shumë respekt për faktin që sot Kosova është një shtet që është i i pavarur ka lidershipin e vet dhe ka të drejtën e plotë që në emrin e saj të flasë vetë. Unë nuk flas në emrin e Kosovës unë flas për Kosovën.
Dhe kur flisni për Kosovën, a flisni dhe për gjëra utilitare, siç janë disa elementë të rëndësishëm për vetë kosovarët që ata vetë i kanë renditur siç janë: mospengimi i kalimit nga Kosova në Serbi nëpërmjet Merdares p.sh. i të gjithë shtetasve të tjerë përveç kosovarëve vetë, duke qenë se e trajtojnë kështu një çështje të brendshme ende Kosovën, serbët; pjesëmarrja në CEFTA, prefiksi telefonik i Kosovës, linja e interkonjeksionit, i keni bërë këto biseda me Vuçiç, a po ndihmoni për këto? A po thjesht kërkoni një njohje?
Patjetër, sigurisht që unë i bëj të gjitha bisedat që janë në interes jo thjesht të Kosovës por janë në interes edhe të Shqipërisë por janë në interes edhe të Serbisë sepse për mua duhet bërë çmos që të insistojmë në principin që çdo gjë e mirë që ndodh në njërin nga vendet është një e mirë që ndodh për çdo vend. Edhe vetë momenti i bllokimit të linjës së interkonjeksionit që në fakt është pasojë e një fakti tjetër që përpara se të çelet linja,Kosova duhet të anëtarësohet në agjencinë evropiane të shpërndarjes së energjisë. Është trajtuar nga unë si një nevojë reciproke e Shqipërisë dhe Kosovës por edhe si nevojë në një proces të fuqizimit të lidhjeve të bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Ata që ju akuzojnë zoti Rama, pak a shumë kanë këtë argument që në fakt ka një logjikë të vetën se mënyra se si sillet zoti Rama në Beograd me ato që çfarë deklaron për Kosovën i shkon për shtat tezave serbe, të cilat duan ta cilësojnë Kosovën një çështje të tyre të brendshme dhe në fakt marrëdhëniet me shqiptarët, ta kenë me Tiranën zyrtare, me Edi Ramën. Ju pse heshtët kur u deklarua për Nish-Durrës pa përmendur Prishtinën?
Asnjëherë nuk kam parë në ndonjë dokument zyrtar që rruga që kryeministri serb e quan “Rruga e Paqes” të jetë Nish-Durrës, gjithmonë është folur Nish-Prishtinë-Durrës, gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë. Këto janë muhabete njerëzish që i japin punë vetes duke bërë patriotin profesionist dhe këto nuk kanë asnjë lidhje me përmbajtjen për të cilën duhet të jemi të gjithë të interesuar.
Cila është përmbajtja zoti Rama?
Përmbajtja është që ne duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk është në funksion të lehtësimit apo të favorizimit, apo të çfarëdoni ta quajmë të Serbisë, një politikë hapje, dialogu bashkëpunim me Serbinë por është në funksion në radhë të parë të interesit tonë, të interesit të qytetarëve tanë në Shqipëri dhe në Kosovë. Sepse ne nuk e rrisim dot aq sa për të bërë një kapërcim të madh ciklik ekonominë tonë as në Shqipëri as në Ksoovë në rast se nuk e shikojmë rajonin si një treg të përbashkët. Ne mund të rritemi me 3.5 % këtë vit. Është shumë në krahasim me zero presje diçka me ku e gjetëm ekonominë. Mund të rritemi dhe me 4% por na duhet patjetër të shkojmë përtej 5% për të pasur një ekonomi e cila e impakton drejtpërdrejt në mënyrë të ndjeshme familjen dhe buxhetin e familjes.
Një treg por secili me identitetin e vet, kështu të paktën deklaron pala kosovare. Çfarë i konsideroni deklaratat e ministrit të jashtëm.
Nuk më rezulton që në tregun e përbashkët gjermanët, francezët apo të tjerët të kenë humbur identitetin e tyre, përkundrazi.
Por Kosova do ta negociojë vetë pjesën e vetë në këtë treg. Kjo është ajo dhe të mos bëjë Rama lidershipin e rajonit.
Nuk bëj unë dhe nuk bën qeveria shqiptare asnjë negociim në emër të Kosovës e përsëris prapë. Unë përfaqësoj qeverinë shqiptare dhe vullnetin tonë të palëkundur për të çelur një kapitull të ri në rajon duke i hapur rrugë një transformimi politik në funksion të një transformimi ekonomik dhe social. Është interesi i fëmijëve tanë, në Shqipëri në Kosovë dhe fëmijëve në Serbi. Nuk mund të vazhdojnë të ushqehen popujt tanë me plagët e së shkuarës. Ne duhet jo vetëm të projektojmë të ardhmen por të bëjmë çmos që e ardhmja të jetë nesër jo pas 100 vjetësh.
A kemi sot ne një problem me qeverinë e Kosovës? Duke iu kthyer sërish deklaratave të ministrit të jashtëm. A janë ato deklarata zyrtare, sepse nuk besoj se është përgjigjur në titull personal…
Ne nuk kemi asnjë problem me qeverinë e Kosovës. Ne nuk kemi problem me lidershipin e Kosovës dhe unë as nuk i marr fare shënim deklarata momentale që janë shprehje emocionale dhe me thënë të drejtën mungesë thellimi në përmbajtjen e një momenti të caktuar.
A keni pasur konsultime me kryeministrin e Kosovës përpara Forumit të Nishit ose pas këtyre polemikave?
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, s’kemi asnjë problem të kësaj natyre dhe unë s’kam asnjë arsye të them që kryeministri apo presidenti i Kosovës janë në ndonjë korsi që divergon sadopak nga korsia jonë. Jemi plotësisht të njehsuar. Sigurisht secili në detyrën e vet. Unë nuk kam marrë përsipër dhe nuk do marr kurrë përsipër të bëj detyrën e udhëheqësve të Kosovës. Unë kam marrë përsipër të bëj detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.
Keni marrë përgjigje për çështjet që sipërpërmendëm, linjën e interkonjeksionit, kalimin në Merdarë…
Mos harrojmë një gjë që unë e kam diskutuar linjën e interkonjeksionit me kryeministrin serb në Paris, e kam diskutuar në Beograd. Por në të njëjtën kohë në Sarajevë ministri ynë i Energjisë e ka ngritur problemin në tryezën e komitetit të energjisë dhe ka një deklaratë zyrtare që i kërkon Serbisë që të zgjidhë problemin deri në 31 dhjetor. Pra, ne i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion…
(vijon)
KOHA JONË SONDAZH

