Rama takim me punonjës të një kompanie ndërtimi: Rritje historike e pagave, sektori privat do të reagojë

Këtë të mërkurë, ku pas mbledhjes së qeverisë foli për rritjen e pagave dhe se paga mesatare do të shkojë në 900 euro, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me punonjës të një kompanie ndërtimi në Tiranë. Ai tha se qeveria po bën reformën më të madhe të strukturës së pagave, duke bërë një rritje historike të tyre.

“Është reforma më e madhe, por është edhe reforma që mund ta bëjmë sot, nuk mund ta bënim dot dje, sepse për të bërë këtë rritje të pagave është ajo që thashë pak më parë dhe për kompaninë, duhet t’i bësh mirë llogaritë, sepse do të duhet t’i garantosh ato paga ndër vite”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, rritja e pagave në sektorin publik patjetër që reflekton menjëherë edhe në sektorin privat si rezultat i faktit që krijohet vetvetiu një mekanizëm konkurrence.

”Bankat e bëjnë të vështirë për Ministrinë e Financave ose për institucione të tjera që të kenë specialistë të nivelit më të lartë dhe ata që kemi sot janë ose specialistë që prej vitesh kontribuojnë në administratën e shtetit ose njerëz, të cilët kanë një dozë ekstra idealizmi, dëshire për të kontribuar për shtetin apo ka ndonjë që e ka penguar pandemia që të ikë dhe ka ngelur dhe pastaj vazhdon të punojë këtu e të tjerë”, tha ai.

SHKARKO APP