Rama takim me vajzat dhe gratë: Fieri është kryeqyteti i socialistëve, nuk e diskutojmë rezultatin këtu
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në qytetin e Fierit, bëri thirrje që të ketë një angazhim akoma më të madh për zgjedhjet e 14 Majit në mënyrë që kjo bashki të thellojë bashkëpunimin me qeverinë. Rama tha edhe se Fieri është kryeqyteti i socialistëve, ndaj dhe ata nuk e diskutojmë rezultatin atje.
“Nuk kemi ardhur këtu të diskutojmë rezultatin. Mund të diskutojmë për fuqinë e shembullit të PS-së, për të treguar që ne nuk kemi arritur asnjë kufi maksimal në rezultatet tona. Për të treguar që me fuqinë e organizimit dhe me fuqinë ekstra të grave dhe të vajzave, PS mund të garantojë fitore që nuk i ka arritur kurrë më parë.
Bashkëpunimi mes qeverisë dhe bashkisë së Fierit është e garantuar dhe ne do vazhdojmë ta mbështesim Fierin me të gjitha forcat. Që ky bashkëpunim të thellohet dhe që Fieri të rritet në të gjitha aspektet. Për familjet këtu në Fier kemi nevojë që në 14 maj të tregojmë forcë të madhe të angazhimit tonë që Shqipëria që sot është diçka krejt tjetër në sytë e botës, të vazhdojë të jetë më e respektuar në sytë e botës dhe të mos kthehet mbrapa në secilën bashki”,-tha Rama.
Drejtuesi politik i PS-së për qarkun e Fierit, Taulant Balla u ndal te fakti se përveç votave për kryetarët e bashkive në qarkun e Fierit, ka dhe një votë shumë të rëndësishme në të gjithë qarkun për këshillat bashkiakë. Ai theksoi se Partia Socialiste në këtë mandat do t’i japë më shumë forcë pjesëmarrjeje qytetare në mbledhjen e këshillave bashkiake.
Armando Subashi është kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Fierit në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Subashi rikandidon në këtë bashki për të fituar një mandat të tretë.