Rama takohet me Mbretin Abdullah; Jordania interes për investime në turizëm
Kryeministri Edi Rama mikpriti sot, në Sallën e Hartave, Mbretin e Jordanisë Abdullah II, i cili ndodhet në Shqipëri në vizitën e tij të parë zyrtare.
Në takim u konstatua se marrëdhëniet midis dy vendeve udhëhiqen nga fryma e miqësisë dhe e mirëkuptimit, si dhe u shpreh gatishmëria për të rritur bashkëpunimin ekonomik.
Një fushë me potencial të lartë zhvillimi, për të cilën pala jordaneze shprehu një interes të posaçëm, u vlerësua turizmi. Mbreti Abdullah II u shpreh me admirim për vijën bregdetare të Shqipërisë dhe siguroi se do të inkurajonte investimet jordaneze në turizëm. Mbreti Abdullah II premtoi se Jordania si një vend mik, me kënaqësi do të ofronte ndihmën e saj për zhvillim edhe në fusha të tjera si shëndetësia, ICT.
Po ashtu u nënvizua edhe vullneti për një bashkëpunim më të madh në fushën e sigurisë.
Në takim u fol edhe për sfidat e sotme rajonale dhe globale dhe u nda mendimi se si të tilla kërkojnë ndërveprim midis vendeve dhe përgjigje globale.