Rama u çon mesazhe aleatëve në koalicion, takon Dukën dhe Legisin
Kryeministri Edi Rama zhvilloi paraditen e sotme një takim me kreun e Partisë Agrare, Agron Duka. Takimi është zhvilluar në ambientet e hotel “Rogner”. Në takim merrte pjesë edhe Ndre Legisi.
Nuk dihet se për çfarë është diskutuar në këtë takim. Në konventën e PAA, nënkryetari i Grupit të PS-së, Taulant Balla i bëri thirrje publikisht Dukës, që t’i bashkohej koalicionit të PS-së.
Ndërkohë që dje, në media është folur për kalimin e një deputeti të Partisë Socialiste në radhët e Partisë Agrare.
Pavarësisht qëndrimeve të fundit, PAA renditet si pjesë e koalicionit të Partisë Demokratike. Agron Duka është një deputet i dalë nga votat e djathta, por historia e tij politik është e lidhur ngushtë më Partinë Socialiste.
Takimi i sotëm me Ramën, duket si një mesazh që Edi Rama jep për aleatët e tjerë, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitetet.
LSI ende nuk ka pranuar të nënshkruajë marrëveshjen e re qeverisëse me Partinë Socialiste. Ndërkohë që dy ditët e fundit nuk kanë munguar dhe replikat dhe deklaratat në distancë mes dy forcave politike. Rama ironizoi me qëndrimin e LSI-së, duke thënë se po priste përfundimin e zgjedhjeve që LSI të vendoste për koalicion me PS, apo “rimartesë me PD”.
Nga ana tjetër, LSI-ja, me anë të Sekretarit të Përgjithshëm, Luan Rama i cilësoi qëndrimet e Ramës si mistrecllëqe. LSI kërkoi që qeverisja të fokusohet më shumë të reformat dhe problemet e vendit, sesa debatet paraelektorale.
I dyzuar në qëndrimin për aleancën e tij me PS, ishte dhe Shpëtim Idrizi i PDIU. Në një intervistë në Report TV, Idrizi kërkoi më shumë hapësirë në koalicion. Ai tha se PDIU nuk do jetë shtojcë e koalicionit, por kërkon rol më shumë vendimmarrës.
Në këtë situatë, Rama ka vendosur të shtojë dyshimet brenda koalicionit, duke flirtuar me partinë e drejtuar nga Agron Duka dhe me një ish LSI-stë si Ndre Legisi.