Rama :Të vendosur për testimin e mjekëve dhe infermierëve
Pavarësisht kundërshtimeve për testimin e mjekëve dhe infermierëve në të gjithë vendin, kryeministri Edi Rama shprehet i vendosur për kryerjen e këtij procesi. Mesditën e sotme, shefi i qeverisë dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u rikthyen sërish në ambientet e QSUT-së, ku zhvilluan një takim me shefat e pavioneve dhe mjekët e këtij spitali. Burime nga takimi, që u zhvillua me dyer të mbyllura, bënë të ditur se kryeministri Rama u shpreh i vendosur për të mos u tërhequr nga testimi i mjekëve dhe infermierëve.
Një ditë më parë, Rama dhe Beqaj ishin në QSUT për të marrë pjesë në ceremoninë e zhvilluar për përurimin e 20 autoambulancave të reja që u vunë në dispozicion të spitaleve në
të gjithë vendin, për të përmirësuar shërbimin e Urgjencës, një nga shërbimet më problematike të sektorit shëndetësor.
Kryeministri Edi Rama tha se beteja për shëndetësinë është një betejë themelore e qeverisë, ndërsa theksoi se shumë shpejt do të fillojë dhe fushata e gjerë kundër korrupsionit në shëndetësi.