PD: Që të shmangen skenarët e ’97-ës, Partia Demokratike kërkon lirimin e Sali Berishës dhe qeveri teknike
Bylykbashi: Rama po ofron standardin e tmerrshëm të zgjedhjeve të ’97-ës. Qeveria teknike që nuk drejtohet prej tij është domosdoshmëri
DEKLARATA E DEPUTETIT TË PD, OERD BYLYKBASHI:
Të nderuar qytetarë,
Jam sot këtu për t’i dhënë përgjigje në emër të Partisë Demokratike kërcënimit të paraqitur si parashikim të Edi Ramës, se Partia Demokratike do të marrë në zgjedhjet e 2025 më pak mandate së në votimet skandaloze të 1997.
Ky është paralajmërim ogurzi për fatin e votës së shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre që jetojnë jashtë, dhe që për herë të parë do të kenë të drejtën e votës.
OSBE i quajti votimet e 1997 vetëm si “të pranueshme për shkak të rrethanave të rënda” dhe konstatoi se në rreth 70% të vendit, kandidatët e Partisë Demokratike u penguan nga bandat të bënin fushatë.
Votimet e vitit 1997 ku mbretëroi terrori i bandave të Zani Çaushëve të lidhura me Partinë Socialiste, mbi kandidatët, militantët dhe simpatizantët e PD, janë standardi që Kryeministri Edi Rama ofron për shqiptarët për zgjedhjet e vitit 2025.
Zgjedhjeve të ndershme, Edi Rama u vë përballë bandat dhe paratë e tyre kriminale.
Zgjedhjeve me rregulla të barabarta u vë përballë përdorimin masiv e brutal të shtetit, parasë shtetërore për të blerë vota, inspektorateve, policisë, shërbimit informativ dhe administratës së politizuar e të kthyer në rrjet patronazhimi.
Lirisë së zgjedhjes i vë përballë blerjen masive të votës me para të krimit, korrupsionit dhe të buxhetit të shtetit, me favore shtetërore dhe kontroll me patronazhistë.
Kjo deklaratë e Edi Ramës vërteton edhe një herë se një qeveri teknike, që nuk drejtohet nga Edi Rama, dhe që garanton zgjedhje të lira e të ndershme është domosdoshmëri për shqiptarët.
Kjo deklaratë e Ramës, pasi ka burgosur liderin e Partisë Demokratike, është treguesi se ai ka në mend vetëm forcën dhe bandat për të shkatërruar zgjedhjet dhe mposhtur opozitën.
Partia Demokratike e merr shumë seriozisht këtë premtim të Edi Ramës për të rikthyer standardin e 1997 në zgjedhje.
Partia Demokratike do t’i përgjigjet fort, në mënyrë të plotë dhe proporcionale dhe me çdo mjet legjitim, skenarit të Edi Ramës.
Edi Rama, çdo vegël e tij, çdo patronazhist, çdo institucion i shtetit, përfshirë gjoja të pavarurit, do të mbajnë përgjegjësi të plotë nëse angazhohen apo i hapin rrugë këtij skenari.
Edhe njëherë, që të shmangen skenarët e ’97-ës, Partia Demokratike kërkon lirimin e Sali Berishës, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme!