Rama thirrje aleatëve: Mos ta lejojmë Rusinë të fitojë, do ishte e papërballueshme
Në Samitin e sotëm në Tiranë për Ukrainën, Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje vendeve aleate të mos e lënë Rusinë të fitojë, pasi ‘do ishte një rezultat i papërballueshëm’.
Teksa theksoi se vendet e vogla si Shqipëria nuk kanë mundësi financiare dhe ushtarake të mbështesin Ukrainën në mënyrën që duhet për të përballuar këtë agresion, Rama deklaroi se vendet e fuqishme duhet ta mbështesin atë dhe ndihmat të mos mbeten peng i politikave të brendshme të vendeve.
“Sa mirënjohës jam për praninë tuaj dhe sa i përulur ndihem që t’i uroj mirëseardhjen presidentit Zelensky. Jemi të nderuar që bëtë këtë udhëtim në Tiranë në këtë moment ku Ukraina po qëndron ndaj luftës që kaq mizorisht i është imponuar vendit tuaj dhe po cenon brutalisht vendet demokratike. Një katastrofë e ngjizur nga zgjedhja e vetëm një njeriu. Prania juaj këtu tregon se kjo ëndërr e vjetër perandorake nuk ia ka dalë, Rusia nuk ia ka dalë të shtyp një vend të pavarur dhe një popull të lirë. Putini donte ta fshihte Ukrainën nga harta për çështje dite, por sot ukrainasit ia kanë dalë dhe janë besimplotë që do të kenë një të ardhme në familjen europaine.
Pas një historie të gjatë trazirash dhe marrëdhëniesh të ngrira këtu është mbledhur Ballkani perëndimor për të planifikuar të ardhmen tonë dhe pavarësisht asaj që mund të mos biem dakord, të gjithë duam të shohim përpara përtej ndasive që na kanë mbajtur peng. Jemi këtu për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit të saj dhe përsërisim thirrjen tonë ndaj Rusisë të ndalë luftën. Lufta ndaj Ukrainës është një kërcënim real edhe për rendin botëror dhe demokracinë. Jemi të vetëdijshëm që vet nuk kemi kapacitet për të ofruar nivel të mbështetjes financiare dhe ushtarake për Ukrainën, por më lini të bëj thirrje që Ukraina e lirë varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake e vendeve të fuqishme. Kjo mbështetje nuk duhet të mbetet peng i politikave të brendshme. Rendi botëror dhe paqja është në rrezik dhe po sfidohet pasi po kryhet luftë për shkak të orekseve të vjetra dhe e vetmja gjë që duhet të bëjmë është ta mbështesim Ukrainën dhe të mos e lëmë të ardhmen tone peng”, tha Rama