Rama thirrje sipërmarrësve nga Korça: Jepuni hakun punëtorëve, ose mua do të më keni tek dera e fabrikës
Gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në Korçë, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sipërmarrësit që nuk ju japin hakun e punës grave dhe vajzave që punojnë në kompanitë e tyre. Rama është shprehur se nëse ata nuk do t’u japin hakun e punës punonjësve, do t’i godasin pa mëshirë dhe do të ju thonë “turp, turp, turp”.
”Kam një mesazh që sot e kam pa emër. Herën tjetër nëse ky mesazhi im nuk dëgjohet, do e kem me emra, bëhet fjalë për 2 a 3 individë që nuk u japin atë që u takon grave që punojnë aty. Ne i dimë kush janë dhe çfarë bëjnë ata dhe unë po ju çoj mesazh që të rregullojnë urgjentisht, marrëdhënien me gratë që kanë aty, 40 mijë lekshi që kanë atje duhet të jepet me bankë. Bëjnë mirë të marrin avokat nëse nuk dinë ligjin dhe çfarë pasojash kanë për të ndëshkuar shumë rreptë ata të cilët u hanë hakun punëtorëve.
Nëse nuk do të futen në kornizën e ligjit, do të më kenë mua tek dera e fabrikës, për t’i bërë leckë në sytë e shqiptarëve e pastaj të ju rrojnë milionat e do të kenë për turp të shikojnë fëmijët e tyre. Ato gra meritojnë hakun e tyre dhe ky mesazh vlen për të gjitha çakajdurët që vazhdojnë të mendojnë se ekonomia shqiptare duhet të ketë forcë konkurruese krahun e lirë të punës.
Qeveria që unë drejtoj dhe PS do të vendoset me të gjitha fuqitë e veta në krahun e punëtorëve. Nuk do të lëmë njerëzit të ikin sepse ata nuk do të ju japin hakun, ne do t’i godasim pa asnjë mëshirë, do t’i bëjmë shembull dhe do t’i vëmë në tabela dhe do t’i themi: Turp, turp, turp. Është e pamundur që gratë të kenë frikë të flasin sepse ju kërcënohet buka e gojës e fëmijëve të tyre dhe këta që ju thonë që s’ta jap rrogën. Nuk ka hallall, ka vetëm haram. Ne do të jua nxjerrim nga hundët. Nuk luhet më me zjarrin sepse ato gra dhe ato vajza nuk janë njeri pa njeri”,-tha Rama.